Skip to content

Shqiptarët po ikiiin!!! Por a ka veshë për t’i dëgjuar

Shqipëria është futur në tunel dhe drita në fund të tij nuk duket.
Madje, mund të jetë shumë larg. Për shkak të emigracionit të lartë në
numër, i riaktivizuar fuqishëm vitet e fundit, por edhe për shkak se
shqiptarët e larguar së fundmi janë nga pjesa më e arsimuar dhe
profesionale, vendi po përballet me probleme komplekse ekonomike dhe
sociale.

Perspektiva, për shkak edhe të faktorëve të tjerë demografikë, mund
të jetë edhe më e zymtë. Banka Botërore, në një parashikim të fundit të
javës së kaluar, na tregoi se të paktën deri në vitin 2050, shqiptarët
që do të emigrojnë, do të jenë në nivele shumë më të larta se ata që do
të zgjedhin të rikthehen për të jetuar në Shqipëri. Banka analizon se
emigracioni neto do të vazhdojë me të njëjtat ritme, ku çdo 5 vjet do të
ikin (neto) nga vendi rreth 40 mijë persona.

Më herët, FMN ka llogaritur se gjatë viteve 1995-2012, largimi i
shqiptarëve ka sjellë efekt negativ 18% në PPB dhe se 16% e masës së
këtij dëmi ka ardhur nga largimi i forcës së kualifikuar.

Shkaqet e këtij emigracioni, si në fillim të viteve ‘90 mbeten po
njësoj, asgjë nuk ka ndryshuar: papunësia, destabiliteti politik dhe
cilësia e ulët e jetës. Janë po të njëjtat shkaqe për të cilat, 30 vjet
më parë, shqiptarët u larguan, janë po të njëjtat shkaqe për të cilat
ikin dhe sot, janë po të njëjtat kushte, të cilat rigjejnë edhe
emigrantët e kthyer. INSTAT, në një studim, tregon se 80% e emigrantëve
të kthyer ndeshen me po të njëjtat nevoja dhe probleme, me ndryshim fare
të vogël në renditjen e tyre.

Kjo është e pritshme sepse, së pari, kanë gjetur një vend në
destabilitet politik dhe një ekonomi gjithnjë anemike dhe me pabarazinë
më të lartë se çdo vend tjetër i Europës, që vijon të rritet që në
fillimet e demokracisë (EUROSTAT).

Revista jonë e ka trajtuar shpesh fenomenin e migracionit. Edhe në
shkrimin e saj kryesor të kësaj radhe, ai zë sërish vend përmes dëshmive
të vërteta nga sipërmarrësit. Mund të duket si përsëritje kur tashmë
faktet janë. Por ka një ndryshim, për shkak se fenomeni nuk po ndalet
dhe rreziku po bërtet edhe më shumë. Por a ka veshë që të dëgjojnë?!
Fatkeqësisht, jo. Qeverisja e vendit, për turp të saj, e shikon
emigracionin ende si fenomen normal dhe të përbotshëm që u ndodh edhe
gjermanëve, edhe francezëve, edhe italianëve, edhe…?

Ka dhe një arsye tjetër pse iu kthyem sërish temës së emigracionit.
Është fakti që e përmend sërish FMN, që nëse prej vitit ‘95 deri në
2012, emigracioni nuk do të ishte në këto përmasa, rritja ekonomike
gjatë kësaj periudhe nga 3% do të ishte të paktën 9%. Ja pra ku është
edhe përgjigjja nga duhet të nisë zgjidhja e problemit. Nga oferta
ekonomike. Në pamundësi për të rritur ekonominë pa ta, të mund të gjejmë
rrugë që shqiptarëve të larguar ose kërkojnë të largohen, t’ju japim
një stimul dhe një ofertë më të mirë financiare, qoftë edhe duke e
subvencionuar kthimin.

Pasi mbajtja dhe riatdhesimi i “trurit”, automatikisht, jo vetëm do
të përshpejtonte rritjen ekonomike në favor të të gjithëve, por do të
justifikonte çdo para të shpenzuar për të stimuluar rikthimin. Kur
emigrantët shqiptarë, në kulmin e krizës ekonomike në vendet e BE-së,
veçanërisht në Greqi dhe Itali, filluan të ktheheshin, pati projekte dhe
nisma ligjore të mira, për të dhënë disa stimuj dhe lehtësi financiare
dhe ekonomike për t’i riintegruar dhe për të përfituar investime, si nga
kursimet e tyre, ashtu dhe “know how”. Por, skema nuk funksionoi.

Atëherë, qoftë edhe nga kjo praktikë e njohur, mendojmë se ka ardhur
koha për të çelur një diskutim e më pas veprime konkrete, për të ideuar
dhe për të paraqitur më shumë alternativa, të cilat të ngrihen dhe
diskutohen me sa më shumë grupe interesi, sepse pavarësisht shkaqeve që i
detyruan dhe po i detyrojnë shqiptarët të ikin, mbajtja apo rikthimi i
tyre është në nderin dhe leverdinë e të gjithëve.

Edhe nëse do ta konsideronim emigracionin si fenomen historik, ashtu
siç ka qejf qeveria ta quajë, për t’ju larguar përgjegjësisë së saj, le
të ndjekim shembullin e vendeve, daç edhe si Gjermania, Italia, qoftë
edhe si Rumania për t’i ndihmuar të gjithë shqiptarët që ta gëzojnë
atdheun e tyre. Koha nuk pret, nëse duam që sa më shpejt t’i gëzohemi
dritës