Stadiumi i Antalias në Turqi u ‘’pushtua’’ nga kombëtarja jonë në nëntor pas fitores në miqësoren ndaj kombëtares turke. Por duket se në këtë fillim janari do të ketë një tjetër ‘’pushtim’’ shqiptar mbi qytetin turistik të Antalias.
Gjatë verës është një ndër destianacionet e preferuara të shqiptarëve për të kaluara pushimet ndërsa gjatë këtij janari është preferuar nga klubet shqiptare për kryerjen aty të mini fazës përgattore të janarit.
Nga një vështrim që ka bërë Berati TV se ku do të zhvillojnë fazat përgatitore klubet shqiptare të Superiores në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni dukshëm dallohet se Antalia është destinacioni i preferuar me plotë 10 klube. Moti më i ngrohtë se në Shqipëri por edhe komplekset sportive dhe akomoduese të një niveli të lartë dhe pse jo çmimet konkurruese u jep mundësinë klubeve shqiptare ta zgjedhin qytetin turk.
Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi, Partizani, Kamza, Luftëtari dhe Teuta nga Kategoria Superiore, Tirana nga Kategoria e Parë në Shqipëri dhe Shkëndija e Shkupi nga Superliga maqedone janë klubet që këtë mini fazë të janarit ta zhvillojnë në Antalia.
Vllaznia edhe këtë herë ka zgjedhur qytetin fqinj të Ulqinit at ku do ti bashkohet edhe Prishtina e Mirel Josës.
Ndërkohë Liria e Prizrenit, Trepça ’89, Ferronikeli, Drita dhe KF Gjilani nga Kosova do të udhëtojnë drejt Durrësit dhe shumë pranë tyre Llapi në Kavajë. Por Durrësi është preferuar edhe nga klube të Superiores tonë, si është rasti i Lushnjes ndërkohë që Laçi do të qëndroj në kryeqytet. Renova po ashtu ka zgjedhur të mos lëviz duke e vazhduar fazën në Tetovë.
Nëse kjo analizë do të zbres një kategori më poshtë do jetë e vështirë të gjesh klube që lëvizin nga qytetet e tyre dhe kjo vjen për shkak të financave të papërballueshme të një faze të tillë. Rasti i Tomorit është një dnër klubet që ka zgjedhur shtëpinë e vet për të vazhduar këtë fazë përgatitore ashtu, si klubet e tjera të qarkut Naftëtari dhe Skrapari.
Lëvizja e madhe e klubeve shqiptare gjatë verës dhe dimrit për të zhvilluar fazat përgatitore larg nga Shqipëria tregon nevojën për ngritjen e komplekseve me hotele e fusha stërvitjesh, palestrash që mund të preferohen nga klubet shqiptare të futbollit por edhe sporteve të tjera. Por pse jo për ta kthyer edhe Shqipërinë në një nga vendet e preferuara për klube të ndryshme evropiane për kryerjen e të tilla fazave përgatitore. / Berati. TV



