Pashkët Ortodokse ndryshe nga vitet e tjera janë zhvilluar me kisha të boshatisura për shkak të COVID-19. Shumica e besimtarëve kanë pritur në radhë për tu futur tek katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë për tu lutur apo për të ndezur ndonjë qiri. Pjesë e urimeve ka qenë edhe ai për largimin e koronavirusit.

Si asnjëherë më parë pas shumë vitesh besimtarët ortodoksë i janë drejtuar të dielën Katedrales “Ngjallja e Krishtit” për të kremtuar Pashkët me maska dhe duke ruajtur distancën nga njëri-tjetri.

Shumica e besimtarëve kanë respektuar radhën për të hyrë në kishë dhe për t’u lutur për këtë ditë të rëndësishme për ta.

Fëmijët kanë qenë të shumtë që i janë drejtuar Katedrales ortodokse së bashku me nënat e tyre.

Pjesë e urimit për më shumë dashuri dhe harmoni në familjet shqiptare ka qenë edhe urimi për largimin e pandemisë COVID-19.

“I uroj të gjithë shqiptarëve ta kalojnë sa më lehtë këtë fazë kaq të vështirë për të gjithë botën. Shqiptarët shquhen si të guximshëm. I jap kurajo që të fitojmë dhe mendoj që do të fitojmëq nëse ndjekim rregullat rigoroze”, shprehet një qytetare.

Pas orës 11:00 të së dielës qytetarët ju drejtuan shtëpive për tu mbledhur në tryezat e tyre për të festuar Pashkët.

Edhe mesha e së shtunës në mesnatë në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u zhvillua pa praninë e besimtarëve të cilët e ndjekën këtë rit nga televizori, kjo për shkak të masave të marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re