“Shqiptarët për Shqiptarët” udhëtoi në Itali për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të shumë fëmijëve që janë dërguar për kurim atje, fale zemërmirësisë e bamirësisë së shqiptarëve.
Një ndër fëmijët është dhe ky vogëlush, i quajtur Erkidi. Erkidi është veçse tre muajsh dhe rrezikonte të humbte shikimin.

Por qe bamirësia e shqiptarëve që i realizoi ëndrrën nënës së Erkidit, për ta dërguar të birin në duar të sigurta. Fatmirësisht, ndërhyrja ka shkuar për mrekulli. Sidrit Bejleri e takoi pranë spitalit Bambino Gesu Elsën, e cila na tregoi se Erkidi e ka kryer me sukses ndërhyrjen e tashmë është nën kontrollin e mjekëve për të parë ecurinë e tij.
Mes lajmit të mirë, Elsa tha disa fjalë nga zemra e mjaft prekëse, për të gjithë ata shqiptarë që kontribuan diçka nga vetja, për t’i shpëtuar shikimin vogëlushit të saj.
Elsa: Tani që jam e qetë, e mendoj… se shumë vetë më kanë thënë edhe sikur t’i kisha patur paratë, spitalin e mjekët e specializuar nuk do t’i kisha gjetur dot. Këtë e arrita falë jush e shqiptarëve. Ju jam mirënjohëse deri ditën e fundit të jetës sime, derisa të kem frymë, Zoti ju shpërbleftë.
Jetoja me frikën e rrezikut për jetën e djalit e më pas dritën e tij të syve. Imagjinoje, vetëm mendimi më tmerronte se do ishte pa sy. Jam shumë mirënjohëse, jo vetëm sa herë ta shikoj djalin e të më kujtoheni, po sa herë që të marr frymë do t’ju them faleminderit.



