Në Shqipëri ka përfunduar me sukses dhe pa incidente procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, që u zhvilluan nën kushtet e pandemisë së koronavirisut.
Procesi i votimit të dielën më 25 prill për zgjedhjen e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë filloi në ora 07:00 dhe përfundoi zyrtarisht në orën 19:00 në gjithë territorin shqiptar me përjashtim të disa qendrave që ka patur ende votues.
Qytetarët e ushtruan të drejtën e votës nëpër 5.199 qendra të votimit, ndërkohë sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk ka pasur konflikte që mund ta vendosin në rrezik zhvillimin e procesit apo integritetin e procesit zgjedhor.
Pjesëmarrja në votime, sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së është 48.59%.
Në qendrat e numërimit të votave, vazhdon procesi i numërimit, ndërsa Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi është shprehur se rezultati për partitë politike pritet të dalë brenda 48 orëve.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një komunikim për median në përfundim të afatit zyrtar të procesit të votimit deklaroi se “ky proces zgjedhor u karakterizua nga qetësia, siguria dhe integriteti”.
Tani që procesi i votimit ka përfunduar, Celibashi solli në vëmendje të komisionerëve detyrimet e tyre për ta përmbyllur edhe këtë fazë, këtë moment të rëndësishëm sepse lidhet me sigurinë dhe integritetin e votimit dhe të votës.
-“…që edhe këtë moment të përmbushjes së përgjegjësisë së tyre do ta qasin në përputhje me parashikimet e Kodit. Është rasti t’i bëj thirrje partive politike që procesin në vijim ta përcjellin me qetësi, të presim të numërohen fletët e votimit dhe se kush është fituesi. Çdo deklarim i bërë pa nisur fare procesi i numërimit të fletëve të votimit nuk do t’i shërbente qetësisë dhe garancisë për këtë proces…Shpresoj që gjithë lidershipi politik ta ketë koshiencën për të kuptuar se ka nevojë për qetësi…”
Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar procesin zgjedhor dhe ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen.
Në reagimin e tij, Meta shprehet se sfida më e madhe është administrimi me integritet të lartë i procesit zgjedhor.
“Faleminderit qytetarëve për pjesëmarrjen rekord në këto zgjedhje dhe qytetarinë e treguar! Tani administrimi me integritet të lartë të procesit zgjedhor është sfida më e madhe. Qytetarët të jenë të qetë se asnjë votë nuk mund të tjetërsohet nga askush”, shprehet ai.
Po ashtu Meta vuri theksin te puna e komisionerëve në numërimin e votave dhe përmbylljen e procesit.
“Mos u ndikoni nga sondazhet se me ato do qeshin të gjithë. Shqipëria ka fituar me këtë proces historik deri tani. Përgjegjësia e komisionerëve tani dhe e numëruesve, e jashtëzakonshme për përmbylljen dinjitoze të zgjedhjeve”, shprehet Meta.
Ndërsa, Kryeministri Edi Rama pas procesit të votimit ka deklaruar, në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Socialiste, se “populli ka folur dhe votat janë në kuti”, ndërsa theksoi se “nga ky proces duhet të dalë e fituar Shqipëria dhe jo partia që do të vazhdojë të qeverisë vendin”.
-Rama tha se “…Detyra jonë, e çdo numëruesi dhe çdo vëzhguesi në çdo qendër numërimi është që me përgjegjësinë më të lartë qytetare të kontribuojë për të numëruar në mënyrë korrekte votat që janë kuti…”.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka falënderuar shqiptarët që zgjodhën të votojnë Aleancën për Ndryshim.
Në një dalje nga selia e PD-së ku duken edhe mbështetës të kësaj partie, Basha shprehu besimin për përmbylljen e procesit sipas ligjit.
-“Faleminderit të gjithë qytetarëve shqiptare që zgjodhën ndryshimin. Kjo është një fitore e qartë për popullin shqiptar, është një fitore e qartë për Aleancën për Ndryshim.
Vullneti i popullit është në kutitë e votimit. Unë kam besim të plotë se numëruesit dhe komisionerët do ta përmbyllin këtë proces me përgjegjësi me durim dhe sipas ligjit. Dhe siç kam thënë në fillim të fushatës në fund të këtij procesi Shqipëria fiton”, u shpreh Basha.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë patur të drejtën të votojnë, ndërsa 107 mijë e 24 zgjedhës votojnë për herë të parë.
Në zgjedhjet e të dielës morën pjesë 1841 kandidatë për deputetë, teksa 732 kandidate ndër to janë femra, ose 39.76 %.
KQZ ka njoftuar se, 5199 Qendrat e Votimit janë monituruar me kamera, gjë që është një garanci e shtuar në parandalimin e paligjshmërive, si fotografimi i votës, votimi familjar, votimi më shumë se një herë, etj.
Në fletën e votimit kanë qenë të regjistruara 12 parti politike si dhe në disa qarqe ka kandidatë të pavarur.
Në këto zgjedhje qytetarët munden të votojnë si për partinë politike, ashtu edhe për kandidatët e partive.
Procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare vijon, ndërkohë kryeson partia në pushtet, Partia Socialiste e drejtuar nga kryeministri Rama.
-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –
