Ka kaluar tashmë një javë që çelësat e 155 shtëpive të ndërtuara me kontributet e shqiptarëve, u janë dorëzuar banorëve të Thumanës.

Dy prej banorëve të Thumanës treguan për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” se hyrja në banesën e re, e mobiluar tërësisht, ishte një ndër momentet më të bukura për ta. Lirie Vata, një grua në moshë, tha se për të ishte mrekullia vetë kur hyri në shtëpinë e ngritur falë bamirësisë së shqiptarëve.

“Këtu është bërë mrekullia e botës, më mirë nuk ka. Unë për veten time jam shumë e kënaqur. Na kaluat të keqen e shumë jemi gëzuar kur kemi hyrë. Këtu janë shtëpia perfekte. Ku ka fjalë më tepër për shtëpinë. Shqiptarët që kanë kontribuar për ne, u them këtë fjalë: O Zot ju ruajtë Allahu, kudo ku jeni. Jua shpërbleftë Zoti me të mira, mos pafshi kurrë të keqe në jetë e në familjet e juaja”-tha nënë Liria, e cila jeton në një banesë 3+1.

Met Xhafa po ashtu, na tregoi i buzëqeshur se e vetmja gjë që duhej të bënte, ishte të hynte brenda, pasi shtëpia ishte tërësisht e mobiluar.

“Këtu është bërë një punë shumë e mirë. Shtëpia është e gatshme, vetëm të hysh brenda. Njerëzit kanë hyrë dhe janë normalizuar, jetojnë për mrekulli në shtëpi të re. Shtëpitë kanë hapësira, ajrim, çdo gjë e kanë… tani duket sikur Thumana është bërë një qytet turistik.”-tregoi Meti, i cili jeton në një banesë 2+1.

Elvis Naçi tregoi se shqiptarët u bënë bashkë përmes modelit të bamirësisë, por ishte e nevojshme që për të sjellë në jetë një Thumanë më të bukur, do të duhej durim.

“Kuptohet shumë shpejt, me Zotin para dhe me zemrën e shqiptarëve, fondi pë Thumanën u bë shumë i madh. Ne nuk u nxituam, donim të kontribuonim për Thumanën, kuptohet që fondi mbetur ka shkuar në vende tjera, por, ne nuk donim të nxitoheshim. Se ne mund të shkonim t’ja rindërtonim shtëpitë njerëzve atje ku kishte dëmtime apo aty ku donin ato, por duke qenë se po bëhej një infrastrukturë e madhe, një projekt modern, ne donim që të përveç shtëpiave të rindërtuar, të bëhej diçka e mirë për të gjithë komunitetin. Ne pritëm që qeveria të bënte infrastrukturën. Qëllimi ynë ishte më i madh, që njerëzit të jetonin më mirë se më përpara. Që shtëpiat individuale të bëheshin në një qytezë, afër mes tyre, që njerëzit të ishin pranë. Edhe sot po ta shikosh sesi është bërë  Thumana, e kupton pse ne duruam për të nxjerrë atë që është më e mira.”-rrëfeu Elvisi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re