Jeton në Kosovë që prej qershorit të vitit 1999, por edhe pse kanë kaluar 22 vite, ende nuk e ka nënshtetësinë apo dokumentet e Kosovës.

Kjo është historia e pazakontë e Sedat Ajvazit, shqiptar i Luginës së Preshevës. Sedati nuk ka as dokumente të vlefshme të Serbisë, kjo pasi autoritetet atje ia kanë pasivizuar adresën.

“Aktualisht unë jam në Kosovë person në të zezën. Nuk mund të më verifikoj as Policia e Kosovës e as Policia e Serbisë. Dokumentet e Serbisë i kam pa afat, do të thotë ato sistemi nuk i pranon për shkak të pasivizimit atje. Të Kosovës nuk kam kurrfarë dokumenti edhe pse jetoj në Kosovë që nga qershori 1999”, rrëfen shqiptari.

Sedati rrëfen për Radio Evropa e Lirë, se disa herë ka mbledhur dokumentacion, me shpresën se një ditë jetesa “në të zezë” do të përfundojë me marrjen e një leje qëndrimi apo dokumentacioni. Të parën kërkesë e ka bërë në vitin 2001 në UNMIK, por iu refuzua sepse s’kishte mundur të dëshmonte se jetonte në Kosovë para viteve ’98-99.

“Tri herë kam qenë në Ministri të Punëve të Brendshme të Kosovës te Zyra për të Huajt dhe kërkesa më është refuzuar për shkak të mungesës së kontratës së punës sepse unë nuk munda të lidh kontratë pune me dokumentacione, sa ishin valide ato të Serbisë. Neve na kërkohet të kemi sigurim shëndetësor që as qytetarët e Kosovës nuk e kanë. Na kërkohet kontrata e punës me minimum të pagës 500 euro”, thotë Sedati.

Problemi me të cilin është përballur Sedati e shumë shqiptarë të tjerë, po tentohen të zgjidhen përmes një iniciative të qeverisë së Kosovës, e cila kaloi më 29 dhjetor 2021 një koncept-dokument për shtetësinë. Në dokument u mundësohet edhe shqiptarëve nga Medvegja, Presheva e Bujanoci, të pajisen me shtetësi të Republikës së Kosovës.

“Të gjithë qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët kanë qëndruar në Republikën e Kosovës së paku pesë vjet nga data 12.06.1999 deri me datë 31.12.2021, do të kenë të drejtën e fitimit të shtetësisë bazuar në rregullimin e kornizës ligjore me këtë koncept-dokument, ndërsa sa i përket kritereve procedurale do të rregullohet me akte nënligjore”, thuhet në koncept-dokumentin për shtetësinë i datës 29 dhjetor 2021.

Megjithatë, për të fituar shtetësinë, do qytetar i Luginës do të duhet të përmbushë disa kritere, si psh dëshmia se ka qëndruar prej së paku 5 vitesh në Kosovë, posedimi i një leje të vlefshme qëndrimi e shumë kritere të tjera.

Antigona Shaipi është me prejardhje nga Presheva dhe ka kaluar në një varg të gjatë procedurash për të arritur më në fund tek marrja e shtetësisë.

“Procedura për të fituar shtetësinë e Kosovës ishte një procedurë shumë e gjatë, e cila kryesisht zgjat pesë vjet në bazë të plotësimit të kritereve, por unë pasi kisha përfunduar gjithë arsimimin në Kosovë që nga shkolla fillore e deri tek universiteti, procedura u shkurtua nga pesë në dy vjet”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Antigona tregon se fillimisht u pajis me leje qëndrimi 1vjeçare e më pas me shtetësinë. Por siç ajo shpjegon, procedura për familjarët e saj ka qenë mjaft e mundimshme.

“Procedura ishte më të vërtet e gjatë dhe shumë e kushtueshme, pasi që dihet që shumica e dokumenteve kanë afat të vlefshëm vetëm gjashtë muaj dhe kjo procedurë përsëritej çdo vit”, tregon Antigona.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Brendshme të Kosovës në lidhje me ligjin e ri për shtetësinë. Në përgjigje, MPB shpjegoi se drafti i ri do të zgjidhë shumë problematika për pajisjen me shtetësi për shqiptarët e Luginës të cilët jetojnë në Kosovë.

“Për qytetarët e komunave Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, të cilët janë shpërngulur në Kosovë nga viti 1999, do të parashihen masa lehtësuese për të fituar të drejtën e shtetësisë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Por ndryshe mendon Kushtrim Kadriu, nga Lëvizja Qytetare Vatra.

“Ne frikësohemi se edhe kjo është një iniciativë e njëjtë si të kaluarat, pasi këta të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës nuk janë konsultuar fare, as me ne që merremi me këtë punë, as me Këshillin Nacional në Bujanoc, Preshevë e as me liderët e as me organizatat atje, do të thotë me askënd fare, e besa as me qytetarët që kanë telashe”, thekson Kadriu.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, nga ana e tij tha se Kosova do të duhet të merret seriozisht me fatin e shumë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të mbetur pa shtetësi.

“Ne kemi kërkuar që sipas praktikave rajonale që kanë hungarezët, kroatët e kështu me radhë, të gjithë qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës të pajisjen me dokumentacione të Kosovës. Edhe në të kaluarën ka pasur tendenca për ta rregulluar infrastrukturën ligjore të Kosovës në mënyrë që të adresohet kjo çështje, porse zgjidhjet që janë ofruar nuk kanë prodhuar rezultate”, shprehet Mustafi.

Sipas organizatave joqeveritare dhe subjekteve politike nga Lugina e Preshevës, në Kosovë jetojnë rreth 20,000 qytetarë që kanë migruar në Kosovë për arsye të ndryshme.

Burimi: REL/ Përshtati me shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re