Një intervistë e publicistit dhe shkrimtarit Kim Mehmeti për gazetën “Mapo” ka bërë bujë në median sociale. 

Mehmeti komenton situatën e krijuar në Shqipëri dhe Kosovë, ku shpresat janë varur tek të huajt, duke reaguar me një shpërthim dëshpërimi.

“Duke u bërë më properëndimorë se perëndimorët, ne harruam të jemi proshqiptarë dhe vetvetja. Filluam të sillem si i paafti që fatin e vet e lë në duart e më të fortit dhe më të pasurit, me çka edhe s’ka si mos bëhet i pandjeshëm ndaj fatit të vet. Mbase gjithmonë kemi qenë të tillë, të skajshëm: kur bëhemi komunistë edhe Stalinin e mbrojmë nga rusët, e kur bëhemi proamerikanë, Trumpin e mbrojmë nga amerikanët. Çka tregon se mbase, as duam, as urrejmë racionalist dhe sinqerisht, se me tjerët nuk na ka lidhur as koncepti, as ndonjë ideal, o parim konkret, por vetëm interesi ditor. Kam frikë se edhe për dështimet tona, ne do e fajësojmë Amerikën dhe se, me këta politikanë që kemi, ne do përfundojmë aty ku ishim në kohën e Enverit – si popull që e jeton vetminë e vet. Dhe ashtu, përfundojnë popujt që e humbin besimin në vetvete dhe që për ta arsyetuar paaftësinë vetjake, i fajësojnë gjithë të tjerët,” tha Mehmeti.

“Ne ecnim përpara me burrështetas që nuk na tregonin se në ç’drejtim na çojnë, por na ngushëllonin se ishin në pritje të lajmit se ‘çka thotë Amerika’. E, në ndërkohë, ne thuajse harruam se as Amerika, as kushdo tjetër, s’ka si të ndihmon nëse t’i nuk bën gjë për vetveten dhe sillesh si një i retarduar, që nuk mund të ecë vetë. Kam frikë se miqtë tanë i lodhëm duke kërkuar nga ata të na mbrojnë edhe nga e keqja në vetvete, me çka ata, mbase edhe gabimisht, filluan të besojnë se jemi të paaftë të bëhemi ndërtues të fatit tonë dhe të bëhemi faktor i rëndësishëm në këtë Ballkan. Andaj, miqtë perëndimorë të shqiptarisë, tani duan të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet, madje edhe me ndjenjën e fajësisë pse, për llogari të vetat, shqiptarinë e lanë në duart e këtyre ‘maunokratëve’ që dinin ta sundojnë popullin, por jo edhe grykësinë e tyre”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re