Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë shqyrtoi sot, me kërkesë të deputetëve të opozitës, projektligjin për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor, të miratuar së fundmi në Këshillin e Ministrave.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu sqaroi se ky projektligj përcakton kuadrin rregullator se si do të nisë procesi për të kontrolluar kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit dhe prodhimin e nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.

Qëllimi i projektligjit është rregullimi dhe garantimi i procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes së kultivimit, prodhimit, përpunimit dhe eksportit për qëllime mjekësore dhe industriale të bimës së kanabisit.

Nëpërmjet këtij projektligji, Shqipëria ndjek edhe tendencat në rritje të ekonomive në zhvillim që lejojnë përdorimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Kështu rritet konkurrenca në tregjet ndërkombëtare që janë gjithmonë në rritje.

“Gjatë dekadës së fundit, përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore është legalizuar në më shumë se 35 vende dhe në Evropë janë 22 vende që kanë një legjislacion të veçantë për përdorimin e kanabisit për këtë qëllim.

Kultivimi i kanabisit dhe kulturave të tij pritet të sjellë një mundësi të madhe ekonomike për vendin. Në të gjitha vendet që kanë ndërmarrë këtë hap është vënë re një rritje e madhe e industrisë, si dhe thithje e investimeve dhe të ardhura më të mëdha nga taksat.

Izraeli është një shembull konkret i përfshirjes së barnave të reja që rrjedhin nga kanabisi dhe rritjes fitimprurëse të industrisë.

Në projektligj janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve për subjektet e interesuara. Pranë Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit do të ngrihet edhe Komisioni i Licencave që do të administrojë dhe verifikojë kërkesat që do të paraqesin subjektet. Ky komision do të vendosë edhe sanksione për ato subjekte që pajisen me leje dhe licenca por që shkelin kushtet ose dalin përtej kuadrit ligjor të përcaktuar.

Parashikohet edhe ngritja e regjistrit të posaçëm të subjekteve të licencuara dhe të lejuara, i cili do jetë i aksesueshëm nga gjithë strukturat përkatëse të shtetit, në mënyrë që ky proces të jetë i monitoruar. Licenca për çdo kompani të interesuar miratohet nga qeveria bazuar mbi disa kritere dhe procedura përzgjedhëse të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Kanabisit.

Kriteri i parë është që kompania duhet të ketë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit.

Ndër kriteret për të aplikuar për licencë është vetëdeklarimi për punësimin e të paktën dhjetë personave, dorëzimi i vetëdeklarimit për punësimin e të paktën 10 personave për çdo njësi, 2 prej të cilëve duhet të jenë punonjës të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agroinxhinierike, me eksperiencë pune jo më pak se 3 vjet në fushën përkatëse”- shpjegoi ministrja Ogerta Manastirliu.

Sipas deputetit të opozitës, z. Titran Shehu, projektligji krijon disa paqartësi mbi efektet, mekanizmat dhe qëllimin e veprimtarisë së tij të drejtuar më së shumti në tregun e brendshëm apo për eksport.

“Projektligji nuk është në përputhje me kodin penal të Republikës së Shqipërisë. Mekanizmat, lejet, monitorimi dhe efektet e industrisë janë të paqarta dhe të pamenduara mirë. Qëllimi i veprimtarisë së industrisë për eksport apo për potencialin e tregut vendas është gjithashtu i paqartë. Në ligj nuk ka dallim mes kultivimit, prodhimit dhe përdorimit. Diferencimet në këto kategori bëhen vetëm në tre kategori të paqarta lejesh dhe licencash, sasia e T.H.C dhe sipërfaqja e mbjellë. Nuk ka kufizime në sasinë e T.H.C. Kjo do të krijojë një vakum ligjor për kultivimin e bimës për kanabisin industrial dhe shkel direktivat e BE-së – tha Shehu.

Deputeti Petrit Vasili tha se legalizimi i bimës do të rrisë nivelin e informalitetit në sektorin e bujqësisë.

“Do të rritet niveli i informalitetit në bujqësi, numri i fermerëve dhe shumë boshllëqe të mëdha që pengojnë zhvillimin e bujqësisë intensive që krijon të ardhura shumë herë më të larta se kjo industri, këto janë disa faktorë që duhen pasur parasysh – tha Vasili.

 

Burimi: monitor.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re