Shkruan Hoxhë Alban Gorishti

Duke konsumuar kafen në një prej bareve të qytetit një pamje e njohur më tërhoqi vëmendjen, realisht imazhet ishin xhiruar nëpër shtegun prej druri në mesin e ujit i cili të shpie për tek manastiri i Zvërnecit, imazh që realisht bëhej më joshës për shkak të një pamjeje femërore e cila ecte nëpër atë shteg të ngushtë, ecje e cila lakohej së tepërmi tamam si lakimi i shtegut që të çon për tek manastiri i vjetër, i ndodhur në mesin e një ishulli. Ishulli njihet për pyllin prej disa hektarësh me pemë të larta që e rrethojnë si kurorë dhe për Manastirin, një vepër e periudhës bizantine, e reklamuar po ashtu nga shumë klipe muzikore dhe jo, të “thurura” me imazhe femërore të një modernizmi i cili e përdor “të lashtën” për të justifikuar “të zhveshurën”.

Ky imazh nuk ishte i paparë dhe as ajo melodi e “padëgjuar” për qenien time, kjo pasi i tërë ky imazh më kujtoi hadithin në të cilin pejgamberi i Zotit, alejhi selam, na shëmbëllen rrugën (jetën) e kësaj bote tamam si një rrugë në të cilën njerëzit kalojnë ( e shkelin medoemos), kështu ai a.s thotë: ““Allahu ka marrë një shembull: një rrugë të drejtë e cila është e rrethuar me mure në të dy anët, me disa dyer të hapura, të mbuluara me perde të zbukuruara. Në derën e rrugës është një thirrës i cili paralajmëron: ‘O njerëz! Qëndroni në rrugë dhe mos iu shmangni asaj.” Ndërsa një thirrës mbi rrugë gjithashtu paralajmëron çdo person që dëshiron ta hapë secilën nga këto dyer: “Mjerë ti! Mos e hap, se nëse e hap, do të kalosh nëpër të.” Rruga e drejtë është Islami, dy muret janë kufijtë e Allahut, ndërsa dyert tregojnë atë që Allahu e ka ndaluar. Thirrësi në portën e kësaj rruge është Libri i Allahut, ndërsa thirrësi mbi këtë rrugë është paralajmërimi i Allahut në zemrën e çdo muslimani (njeriu).” E transmetojnë Nisaiu dhe Ahmedi, e ka saktësuar shejkh Albani. Sa i bukur është krahasimi i kësaj rruge me realitetet e kësaj bote! Kështu Zoti nëpërmjet këtij shembulli na tregon se kjo botë ka shumë dalje ansore të cilat janë të mbuluara me perde, perde që shpesh kanë mbishkrime në to. Fjala (perde me mbishkrime) tregon se njeriu mund të hyjë në të ndaluara lehtësisht dhe shumë thjesht, pikërisht e tillë mu duk edhe shtegu që të shpie tek ai manastir, tamam si ato perdet përgjatë rrugës së drejtë ndërsa deti poshtë rrugës, ishulli me kurorën e gjelbër, dhe femrat e epokës bashkohore tamam si ato mbishkrimet (zbukurimet) mbi atë perde . Por efektiviteti i këtij thirrësi është në përpjestim të drejtë sipas ekzistimit të këtyre mureve dhe në momentin që dikush i ngre një nga një ato perde atëherë mendon se e” lashta” që ai pa është në vartësi të këtij moderntiteti që ai sot po përjeton ndërsa tek Allahu realitetet nuk janë sipas imazherve por sipas të vërtetave të pandryshueshme. Nëse të vërtetat tek njeriu ndryshojnë sipas kohës në zemrën e besimtarit ndodhet një e vërtetë e vjetër të cilën nuk e “zbukurojnë” kohët dhe as nuk e joshin transformimet shoqërore, ndërsa “ka kaluar një periudhë kohore, që njeriu nuk ekzistonte fare si një diçka i përmendur”( Insan 1). Ndaj besimtari e di mjaft mirë se sado të lashta të jenë manastiret njeriun Zoti e krijoi “ prej një uji të bashkëdyzuar për ta sprovuar atë, andaj e bëmë të dëgjojë e të shohë” (Insan 2) ndërsa vullnetin e tij (njeriut ) e bëri përcaktues në përzgjedhjen e rrugës së përshkruar. Për këtë njeriu e di se çdokush që ka ecur (si dicka e bashkëdyjëzuar) në sipërfaqen e kësaj bote është krijesë dhe kurrsesi krijues. Ndaj i tilli e kupton realitetin e kësaj rruge dhe se ajo nuk është e ngjashme me videot e shkurtëra joshëse por ndërgjegje e ndjekur dhe udhëzim i qartë dhe jetëgjatë. Tek e fundit njeriu ekziston sipas rëndësive që i jep gjërave, e prej këtej është i aftë të realizojë qartë paralajmërimet e zemrës së vet, kjo pasi zemra shpesh nuk gënjen ndërsa ajo që e gënjen njeriun është egua dhe arroganca e tij.Ndërsa ai i cili i ndjek “manastiret” e kësaj bote është si ai i cili e ndërton një shtëpi (jetën e kësaj bote) ndërsa njëkohësisht e shkatërron një tjetër (jetën e botës tjetër). Zoti e udhëzoi ndërsa shtigjet e humbura të zbukuruara nga klipe epshndjellse e përhumbën atë. “Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës” Insan 3.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re