Shtëpia e Bardhë dje paralajmëroi për një sulm të afërt nga Rusia ndaj Ukrainës dhe përsëriti një paralajmërim për pasoja të rënda ekonomike për Moskën në rast të një agresioni të tillë.

“Tani jemi në një fazë ku Rusia në çdo moment mund të nisë një sulm në Ukrainë”, u tha gazetarëve në një konferencë për media zëdhënësja, Jen Psaki.

Ajo tha se ishte presidenti rus Vladimir Putin ai që shkaktoi krizën duke grumbulluar 100 mijë trupa ruse përgjatë kufijve të Ukrainës dhe duke lëvizur forcat në Bjellorusi për stërvitje të përbashkëta si dhe duke kryer stërvitje shtesë në kufirin lindor të Ukrainës.

“Pra, le të jemi të qartë, pikëpamja jonë është se kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme”, tha Psaki.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken do të udhëtojë në Ukrainë këtë javë, njoftoi më herët Departamenti i Shtetit, mes shqetësimeve të vazhdueshme perëndimore se Rusia po përgatitet për një pushtim.

Blinken do të niset të martën ndërsa Departamenti e përshkroi udhëtimin si pjesë e “diplomacisë së gjerë të vazhdueshme me aleatët tanë evropianë dhe partnerët në lidhje me një qasje të bashkuar për të adresuar kërcënimin që Rusia paraqet ndaj Ukrainës dhe përpjekjet tona të përbashkëta për ta inkurajuar atë të zgjedhë diplomacinë dhe de-përshkallëzimin në interesat e sigurisë dhe stabilitetit”.

Psaki tha se Blinken “do të nënvizojë shumë qartë se ka një rrugë diplomatike përpara”.

“Zgjedhja është e presidentit Putin dhe rusëve të bëjnë nëse do të vuajnë apo jo pasoja të rënda ekonomike”, shtoi ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re