Pas disa  javësh negociata Shtëpia e Bardhë dhe republikanët kanë rënë dakord në parim që të rrisin tavanin e borxhit, duke shmangur kështu falimentimin. Marrëveshja tani duhet të miratohet nga Kongresi amerikan. Presidenti Biden e konsideroi marrëveshjen si “kompromis”, ndërsa kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha se beson  se kjo është një marrëveshje e denjë për popullin amerikan.

 

 “Pas javësh negociata, ne kemi arritur një marrëveshje në parim. Ende kemi punë për të bërë, por besoj se kjo marrëveshje në parim është e rëndësishme për amerikanët. Do të ketë një ulje historike të shpenzimeve, reforma që do të largojnë qytetarët nga varfëria dhe do t’i fusin në tregun e punës, nuk do të ketë taksa të reja dhe as programe të reja qeveritare.”

 

Më herët, Departamenti Amerikan i Thesarit kishe paralajmëruar se vendi do të mbetej pa para për të paguar faturat më 5 qershor nëse nuk do të arrihej një marrëveshje. SHBA-ja duhet të marrë borxh për të financuar Qeverinë, sepse shpenzon më shumë nga sa arkëton. Republikanët kanë kërkuar që të shkurtojnë shpenzimet në fusha si edukimi dhe programe të tjera sociale, në këmbim të rritjes së tavanit të borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh.  Detajet e marrëveshjes së re ende nuk janë bërë të ditura, por CBS ka raportuar se për dy vite do të ulen shpenzimet qeveritare, që nuk i përkasin fushës së mbrojtjes dhe më pas ato do të rriten me 1 për qind në 2025. Bisedimet ndërkohë do të vazhdojnë dhe legjislacioni do të dërgohet për votim në kongres të mërkurën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re