“Nuk është puna ime, unë nuk jam zjarrfikës, por thjesht e ndjeva të nevojshme që duhej të ndihmoja, kështuqë…”

Këto janë fjalë e një të riu që jeton në ishullin Evia në Greqi, atje ku zjarret sollën shkatërrim masiv e largimin e mijëra banorëve nga shtëpitë e pronat e tyre.

Ky i ri quhet Spiros dhe së bashku me një grup të rinjsh lëvizin nëpër ishull duke tentuar të shuajnë flakët. Nuk janë zjarrfikës, por janë detyruar të mësojnë sesi luftohet me flakët për shkak të nevojës.

Spiros thotë për median e huaj se ai punonte në një market, pronë e familjes së tij.

“Ndonjëherë kur jam duke shuar flakët, mendoj me vete mos është shtëpia e ndonjë njeriu që njoh, e ndonjë të afërmi të miqve të mi. E ndjej si detyrë, e fundja shumë prej nesh e kanë bërë këtë gjë.”-thotë ai

I riu tregon se shtëpia e tij nuk është prekur nga zjarri, e pavarësisht kësaj, ai ka ndjerë për detyrë të ndihmojë ata që u përballën me sprovën e madhe.

“Shtëpia ime nuk është prekur nga zjarri, e ndjeva për detyrë të ndihmoj njerëzit e tjerë. Ndihmë nga tjerët nuk ka patur, na është dashur t’i bëjmë shumë gjëra vetë.”

Pak ditë më parë kryeministri i Greqisë i kërkoi falje qytetarëve për menaxhimin e përballimin e zjarreve, veçanërisht në Evia. Ky i ri, që u përball vetë me flakët, jep këtë mesazh për qeverinë, por edhe për ata njerëz me zemër të madhe.

“Mesazhi im për qeverinë…nuk i pamë ndokund ata. Televizionet thonë çfarë duan të thonë e ne nuk presim më gjë nga të tjerët. Njerëzit e thjeshtë, në Greqi e jashtë saj na kanë ndihmuar, na kanë mbështetur, në shumë forma e mënyra. Kishte nga ata që sollën ujë e ushqime”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re