Një shpërthim i fuqishëm tritoli ndodhi mëngjesin e kësaj te premteje, në Sanxhak të Kurbinit. Lënda plasëse ishte vendosur në verandën e banesës së Skënder Likës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, në shtëpinë e tij si dhe në banesat përreth.

 

Familjarët janë terrorizuar nga ngjarja, por fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është lënduar.

 

Ndërsa fqinjët thanë se shpërthimi ishte aq i fortë, sa ata menduan se ishte tërmet.

 

“Shpërthimi ka qenë shumë i frikshëm shumë i tmerrshëm. Ne ishim në gjumë, e kemi dëgjuar! Si tërmet i fuqishëm. Kur kam dalë jashtë kam menduar se ishte tërmet. Dëmi është kolosal. E kemi pasur ballë për ballë shtëpinë.”

 

Skënder Lika është një emër i njohur për policinë. Ai është babai i Llej Likës, autorit të vrasjes së biznesmenit Rakip Rolit e njëkohësisht edhe xhaxhai i Ilir Likajt, i arrestuar për vrasjen e dy biznesmenëve, në një hotel, në Mamurras.

 

Skënder Lika u arrestua në vitin 2021, bashkë me djalin 24-vjeçar Llej Lika dhe shokun e tij Klajdi Gjexhaj, për vrasjen e Rakip Rolit. Por i riu mori përsipër autorësinë e krimit, duke pastruar të atin nga akuzat.

 

Llej Lika dëshmoi se e kreu ekzekutimin në shenjë hakmarrjeje, pasi viktima dhe djemtë e tij e kishin rrahur.

 

Kjo nuk është hera e parë që banesa e Skënder Likës vendoset në shënjestër.  Dy vite më parë, në shkurt 2021, disa persona vendosën në derën e banesës 9 plumba. Ndërkohë që vëllait të tij, Myslim Likës, iu bë atentat pak ditë para kësaj ngjarjeje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re