Dy muaj pas tërmetit, Bashkia Tiranë zgjedh tenderin me negocim të drejtpërdrejtë për të bërë kalimin e banoreve që janë në çadra në shtëpi lëvizëse (konteinerë). Për këtë tender është zgjedhur kompania “Kurti Construction Shpk & Bredhi Jes Shpk”( në pronësi të Rabi Kurtit),  e cila në kundërshtim me ligjin për Prokurorimet Publike ka përfituar këtë tender me vlerë 6 650 000 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë), si e vetme në garë. Nga të dhënat në “Open Data”, kontrata është firmosur më 13 janar dhe kompania do të marrë shumën prej afro 670 milionë lekësh të vjetra për blerjen e banesave sociale.

Çfarë thotë ligji i Prokurimeve Publike?

Siç vihet re, i  vetmi operator konkurues në garën për këtë tender ka qenë “Kurti Construction Shpk & Bredhi Jes Shpk”. Kjo është në shkelje të ligjit pasi në një tender me negocim (si në këtë rast) duhet të jetën të paktën 2 kompani pjesëmarrëse në garë. Në të kundërtën tenderi anulohet.

Ligji i prokurimeve Publike, neni 5 pika 4: “Autoriteti kontraktor, kur përdor procedurën e kufizuar dhe procedurën me negocim, nuk mund ta kufizojë numrin e kandidatëve që ftohen për të paraqitur ofertën. Për procedurën e kufizuar numri minimal i kandidatëve të ftuar duhet të jetë jo më pak se 5, ndërsa për procedurën me negocim jo më pak se 3 operatorë ekonomikë. Kur numri i kandidatëve, që kanë shprehur interes është më i vogël se minimumi i përcaktuar, atëherë autoriteti kontraktor mund të vazhdojë procedurën e prokurimit vetëm kur janë të paktën 2 kandidatë. Në njoftimin për tender, autoriteti kontraktor duhet të përcaktojë kriteret objektive, jo diskriminuese, rregullat që do të zbatohen, si dhe numrin minimal të kandidatëve që do të ftohen.”

Kush është Rabi Kurti
Rabi Kurti është arrestuar më 5 shtator 2019, ku u akuzua për 4 milionë euro mashtrim me TVSH-në. Ai  nuk është një biznesmen i panjohur, pasi njihet në Durrës si një nga emrat e lidhur ngushtë me Partinë Demokratike, e cila e vuri edhe në listën e kandidatëve për këshillin bashkiak në vitin 2011./ syri.net

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re