Nga: Marlind Laçi

Duke marrë shkas nga deklaratat e djeshme thellësisht turkofobe e islamofobe nga klasa “intelektuale” shqiptare.

Dje më datë 29 Tetor universiteti për karshi sheshit “Nënë Tereza” nuk pati ngjyrat e ftohta ashtu siç jemi mësuar ta shikojmë zakonisht por në fasadën e kësaj ndërtese identitare me anë të një monitori gjigand ishte vendosur flamuri i Republikës Turke në shenjë mirënjohjeje e urimi për 97 vjetorin e krijimit të saj si republikë. Deri këtu ngjarjet janë tepër normale për aq kohë sa bëhet fjalë për marrëdhënie midis dy shteteve mike dhe dy popujve miq e me një të shkuar historike të përbashkët ku edhe këto urime në këtë formë nuk duken të tepruara për aq kohë sa janë urime të ndërsjellta po në të njëjtën formë si nga dy shtetet shqiptare (Shqipëri-Kosovë) ashtu edhe nga shteti turk kur shtetet shqiptare kremtojnë ditë të tilla. Kjo gjëndje në dukje pa asnjë ‘incident’ mediatik e gazetaresk agravoi në momentin kur disa individë, gazetarë e televizione në vendin tonë shprehnin një turkofobi të ashpër përtej çdo parimi etik. Në ‘turfullimin’ e një gazetari lexova midis rreshtave se Shqipëria diplomatikisht i kishte “ulur brekët” kundrejt një Turqie që nuk ja kemi nevojën dhe rrezikojmë që këta turqit e këqinj, të na veshin me qylafe e çallma anadollake . Me këto fjali plot banalitet, pompozitet e dashakeqësi në atmosferën e prodhuar u krijua mendimi se ushtria imagjinare e jeniçerëve me në krye Sulltanin ndodhej në “Kthesën e Kasharit” rrugës drejt sheshit “Skënderbej”. Me gjithë atë po të gërvishtësh pakëz mbi lëkurën e turkofobëve do shpërthejë presioni i krijuar nga infeksioni islamofobisë . Menjëherë sapo mundohesh të kundërshtosh tezat tashmë që shërbejnë si propagandë e pavërtetuara shkencërisht e historikisht se “turku na la mbrapa” “turku nuk na la të flisnim shqip” “Argjiroja u hodh nga bedenat e kalasë për të mos e kapur jeniçeri i Sulltanit” “Turku na solli regresin më të madh kulturorë” etj etj hidhen tek tema që nuk mundet ta lënë pa përmendur nga pamundësia argumentative se “Islamin na e imponuan turqit”.

Me “Islamin na e imponuan turqit me dhunë” këta njerëz pa kurrfarë dijenie e formimi historik e kulturore, duke i’u larguar kilometrikisht kontekstit kohorë e politik mesjetarë mundohen që të na e servirin si një tezë të drejtë që gjithë shqiptarët duhet ta mbështesin edhe sot në vitin 2020 por ajo çka i rrëzon këto tentativa është kur për arsye e interasa politik në emer të harmonisë fetare e për tu dukur tolerantë, open mind e sa më tepër Euro-Atlantik në qasje të tilla me presion të lartë, shprehen se islami nuk identifikohet me turqit në vendin tonë. Në këtë rast turkofobët me potencial të fshehur islamofob japin argumentin se Islamin na e sollën dhunshëm pushtuesit turq e kur u thua më pas se turqit kanë identitet islam i rikujtohet teza se turqit dhe Islami janë binom i pandashëm, kur përmendet turku islamofobëve i kujtohet Islami.

Tani këta njerëz me bindje të tilla ose për hirë të intelektualizmit dhe etikes profesionale duhet të heqin dorë nga teza se “Islami erdhi me dhunë nga turku” duhet të heqin dorë nga teza se” Islami indetifikohet dhe është eksuluzivitet i turqve dhe anadollakëve”. Të dyja bashkë nuk mund të qëndrojnë kur jepen argumente të tilla e kur ligjërohet në formë të tillë.
Nëqoftëse nuk heqin dorë nga këto teza banale pa asnjë bosht argumentativ do të thotë se poshtë lëkurës së hollë turkofobe rrezikon të fshihet infeksioni i rrezikshëm i islamofobisë. Të qënit islamofob të dërgon njëkohësisht edhe në albanofobi pasi të paktën në dy shtetet shqiptare shumica dërrmuese e popullsisë i përkasin besimit fetar Islam.

Islamofobi=Albanofobi

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re