*Nga Prof. Asc. Rilinda Klosi
Përdorimi i shtesave ushqimore
Një dietë e përshtatshme, e mirë balancuar, siguron lëndët ushqyese për zhvillimin normal dhe një jetë të shëndetshme. Megjithatë, vrojtimet tregojnë se situata ideale nuk arrihet për të gjithë ushqyesit dhe as për grupet e ndryshme të popullatës. Në shkallë globale, prirja ndaj përdorimit të shtesave ushqimore, të njohura si suplemente ushqimore, është në rritje të vazhdueshme.
Nga një studim i zgjeruar në 14 shtete europiane, i vitit 2022, rezultoi se 93% e të intervistuarve kishin përdorur shtesa ushqimore vitin e fundit për të plotësuar dietën ose për të mbështetur shëndetin.
Mënyra e marrjes ndryshonte, nga marrje e rregullt deri në sezonale apo rastësore. Në përgjithësi, ato gjejnë përdorim më të gjerë nga popullata në shtetet veriore të Europës. Në vendin tonë kërkesat për këto produkte janë rritur veçanërisht pas pandemisë Covid -19. Duke qenë se shtesat ushqimore nuk i nënshtrohen kontrollit të imtësishëm, sikurse ndodh me produktet mjekësore, është e një rëndësie të veçantë që përdoruesit të jenë të informuar para se të bëjnë zgjedhjen.
Informacioni i duhur ndihmon në parandalimin e efekteve të padëshiruara dhe të rrezikut të mundshëm nga ndërveprimi me barnat. Kornizat ligjore për shtesat ushqimore në shtete të ndryshme nuk janë të njëjta, për pasojë standardet e sigurisë ndryshojnë. Mjedisi rregullator për shtesat ushqimore është kompleks, për shkak se bazohet njëkohësisht në ligjet për produktet ushqimore dhe në ligjet e sektorit farmaceutik. Harmonizimi i legjislacionit është arritur vetëm për vitaminat dhe lëndët minerale, për të cilat janë përcaktuar gjithashtu vlerat maksimale të marrjes ditore. Standardizimi siguron nivele të larta të mbrojtjes së konsumatorit dhe lehtëson zgjedhjen nga ana e tij.
Për lëndët e tjera, duke përfshirë përbërësit bimorë, qasjet janë të ndryshme dhe bazohen në kritere të ndryshme vlerësimi. Shpesh këto produkte nuk i nënshtrohen kontrollit para marketingut. Sondzhet e tregut tregojnë se pretendime të rreme ndeshen veçanërisht për shtesat ushqimore bimore, për të cilat nuk ka prova të kryera nga institucione të pavarura.
Përbërësit bimorë të shtesave ushqimore, kërkesat e enteve rregullatore
Shtesat ushqimore bimore kanë efekt ushqyes ose fiziologjik dhe janë të disponueshme në doza specifike. Ato tregtohen në forma të dozuara si tableta, kapsula, pluhura, lëngje, të përcaktuara për t’u marrë në sasi të vogël. Ndonëse shumica e produkteve kanë një histori të gjatë përdorimi në Europë, ndeshen shqëtesime lidhur me cilësinë dhe sigurinë e tyre. Për shkak të origjinës së ndyshme të bimëve, përmbajtja e lëndëve vepruese mund të mos jetë brenda kufijve të sigurisë. Shtete të tjera, si për shembull Gjermania ose Suedia, disa nga këto produkte i konsiderojnë produkte mjekësore.
Po ashtu, ekziston rreziku i ndotjeve kimike dhe mikrobiologjike. Lista e produkteve bimore të pranishme në shtesat ushqimore nuk është tërësisht e njëjtë në shtete të ndryshme të BE-së.
Ndikimi i traditës së përdorimit të bimëve mjekësore pasqyrohet te suplementet bimore që qarkullojnë në treg. Kështu për shembull, shtete si Italia, Franca dhe Belgjika kanë paraqitur një listë të unifikuar të produkteve bimore të lejuara në prodhimin e shtesave ushqimore, e cila është subjekt ndryshimesh dhe përditësimi bazuar në të dhënat shkencore bashkëkohore.
EFSA (Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore) thekson nevojën për një karakterizim më të mirë të produkteve bimore në treg, si dhe harmonizimin e vlerësimit të rrezikut. Në këtë drejtim ndihmon udhëzuesi i hartuar, ku merren në konsideratë bimët e renditura në një listë negative, për të cilat ka të dhëna se përmbajnë përbërës që ngrenë shqetësime për shëndetin. Ato mund të përmbajnë komponime toksike, përbërës që japin fenomenin e varësisë ose kanë veprim psikotrop, si dhe përbërës të tjerë të rrezikshëm. Botimet e përditësuara të udhëzuesit japin gjithashtu listën e bimëve për të cilat nuk ka informacion të mjaftueshëm, duke ndihmuar në identifikimin e përbërësve specifikë të shtesave ushqimore bimore mbi të cilët duhet fokusuar.
Koncepti i gabuar se këto produkte “natyrore” nuk kanë efekte të padëshiruara, ka çuar në përdorimin e pakontrolluar, si dhe në shfaqjen e ndërveprimeve të rrezikshme me barnat. Po ashtu, në disa raste suplementet mund të ndikojnë në rezultatet e provave laboratorike ose të kenë ndikim negativ në ndërhyrjet kirurgjikale. Probleme shfaqen nga mbidozimi, përdorimi për kohë të gjatë apo në rastet kur merren njëkohësisht disa shtesa ushqimore. Nuk janë të rralla rastet kur reklama dhe shënimet mbi etiketë janë të pavërteta ose të ekzagjeruara. Shumë përbërës bimorë që marrin pjesë në suplemente nuk rrjedhin nga bimë që përdoren për ushqim, studimet klinike për to janë të pakta. Ndonëse bëhen përpjekje për harmonizimin e rregulloreve specifike, në shkallë globale nuk ka konsensus lidhur me kategorizimin e suplementeve bimore.
Efikasiteti dhe siguria
Shtesat ushqimore bimore përdoren shpesh për lehtësimin e ankthit, forcimin e sistemit imunitar, si dhe për të rënë në peshë – disa nga shqetësimet për sigurinë e të cilave trajtohen në vazhdim.
– Obeziteti i rritur në shkallë globale lidhet me probleme serioze të shëndetit. Për humbjen në peshë rekomandohet aktivitet fizik i shtuar dhe dietë me pak kalori. Për të njëjtin qëllim përdoren shtesa ushqimore bimore, por të dhënat për efikasitetin e tyre janë zakonisht të pamjaftueshme dhe siguria e diskutueshme. Qëkurse përdorimi i efedrinës në shtesat ushqimore u ndalua në shumë shtete të Europës dhe në ShBA, si zëvendësuese u përdor sinefrina, e pranishme në ekstraktet e portokallit të hidhur.
Studime të zgjeruara kanë provuar se këto produkte kanë të njëjtat efekte anësore sikurse efedrina: rritje të presionit të gjakut dhe të rahjeve të zemrës. Janë vërejtur gjithashtu ndërveprime serioze me barnat si statinat dhe antihistaminikët. Për këto arsye autoriteti përgjegjës për sigurinë e ushqimit në Francë ka vënë kufizime lidhur me dozën ditore, duke saktësuar se sasia e sinefrinës duhet të jetë më e vogël se 20 mg/ditën, po ashtu të mos merret në kombinim me kafeinën. Kufizime të ngjashme janë vendosur edhe në shtete të tjera të BE-së.
– Pas raportimeve të shumta që lidhen me toksicitetin e acidit hidroksicitrik, po ashtu i pranishëm në shtesat ushqimore që përdoren për rënien në peshë, vitet e fundit janë kryer studime të thelluara.
Ekstraktet e frutave të bimës Garcina cambogia kanë përmbajtje të lartë të këtij acidi, ato përdoren në prodhimin e produkteve të përmendura. Në një studim të zgjeruar ku analizohen të dhënat për produktet bimore me veprim hepatotoksik në popullatën e ShBA-së, i botuar në vitin 2024, Garcina cambogia renditet midis gjashtë produkteve kryesore me veprim të fortë toksik. Duke qenë se ka të dhëna klinike të mjaftueshme, të cilat dëshmojnë dëmtimin e mëlçisë nga përdorimi i ekstrakteve të kësaj bime, në mars 2025 agjencia shtetërore franceze e vlerësimit të rrezikut nga ushqimet (ANSES) këshillon fort të mos përdoren shtesat ushqimore bimore me përmbajtje ekstraktesh të Garcina cambogia Desr.
Shtesa ushqimore bimore apo fitopreparate?
Produktet që kanë veprim terapeutik ose parandalues të sëmundjeve konsiderohen produkte mjekësore. Fitopreparatet i nënshtrohen kontrollit laboratorik për çdo seri prodhimi dhe pajisen me certifikatën përkatëse. Ndër të tjera, para hedhjes në treg ato i nënshtrohen provave klinike dhe studimeve farmakologjike, kërkesat për to janë të standardizuara. Për sa i takon shtesave ushqimore, ato përgjithësisht nuk janë subjekt i provave klinike apo i të njëjtave standarde prodhimi, mbi etiketën e produktit nuk mund të shënohet “kuron apo parandalon sëmundje” të ndryshme. Ato tregtohen jo vetëm në farmaci, por edhe në dyqane të specializuara, si dhe nëpërmjet internetit. Kështu për shembull, lule basani është një suplement bimor i mirënjohur; mbi etiketë mund të shënohet ”përmirëson humorin”, por nuk mund të pretendohet se trajton gjendje specifike si depresioni. Në shtete të ndryshme klasifikimi ndikohet nga tradita e përdorimit të bimëve mjekësore dhe ekstrakteve të pranishme.
Referenca
- Consumer survey on food supplements in the EU. Who takes food supplements and why? Food Supplements Europe, April 2022.
- Guidelines and recommendations to reduce the presence of pyrrolizidine alkaloids in food supplements. Food Supplements Europe, May 2021.
- Cheng V. Supplement regulations in the European Union: An overview, March 2021.
- Technical report on the evaluation of safety in use of hydrocitric acid and plant preparations containing hydrocitric acid. EFSA, July 2023.
- Risks associated with the presence in food supplements of synephrine or ingredients obtained from Citrus spp. ANSES opinion of the French Agency for Food, August 2022.
- Ballotin VR. et al. Herb induced liver injury: systemic review and meta-analysis. World Journal of Clinical Cases 2021: 9 (20): 5490-5513.
- Mena-Garcia et al. Quality evaluation of dietary supplements for weight loss based on Garcinia cambogia. Nutrients 2022; 14 (15): 3077.
- Alisa Likhitsup et al. Estimated exposure to 6 potentially hepatotoxic botanicals in US adults. JAMA Network open 2024; 7 (8): e 2425822