Shtetet europiane, me ritme më të larta vaksinimi

5b8f46fca89944b7a2173d6e3327be31.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Shkalla më e lartë e vaksinimit po përkthehet në nivele më të ulëta të infeksionit Covid dhe vdekjeve në Europën Perëndimore sesa në pjesë të Europës Qendrore dhe Lindore, tregojnë të dhënat e fundit, përveçse në Mbretërinë e Bashkuar ku numri i rasteve po rritet, shkruan The Guardian.

Shifrat nga “Our World In Data” tregojnë një lidhje të qartë midis përqindjes së njerëzve të vaksinuar plotësisht dhe rasteve të reja të përditshme dhe vdekjeve. Nga të dhënat rezulton se sistemet shëndetësore në disa shtete të nën vaksinuara të BE-së Qendrore dhe Lindore janë vënë më nën presion nga rastet e reja.

Nuk konstatohet e njëjta gjë me Britaninë, e cila megjithëse tani tejkalohet nga shumë shtete të BE ka vaksinuar një shifër të ngjashme të popullsisë së saj në krahasim me shumicën e vendeve të Europës Perëndimore, por ndërkohë ka një shkallë infeksioni që u ngjan më shumë atyre në Lindje.

Programet më të ngadalta të vaksinimit në Europën Qendrore dhe Lindore të kombinuara me një lehtësim të kërkesave për distancimin shoqëror gjatë verës kanë çuar në një rritje dramatike të rasteve të Covid në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore.

Si rrjedhojë e ndikimit të variantit më infektiv Delta, shtetet baltike të Lituanisë (771) dhe Letonisë (737) kanë mesataren më të lartë 7-ditore të rasteve të reja ditore për milion, sipas “Our World In Data”, me Rumaninë (678) dhe Estoninë (675) që nuk janë shumë pas.

Këto shtete, së bashku me Bullgarinë kanë ndër nivelet më të larta të vdekshmërisë ditore në Europë për milion. Rumania ka një mesatare prej 14 dhe Bullgaria në 13, e ndjekur nga Lituania, Letonia dhe Estonia në 9, 5 dhe 3 respektivisht.

Këto shifra janë në kontrast të plotë me disa nga vendet me rezultatet më të mira në Europën Perëndimore: infeksionet e reja ditore për milion në Spanjë, Itali, Portugali, Suedi dhe Francë janë më shumë se 10 herë më të ulëta, në rreth 38, 43, 59, 59 dhe 76 përkatësisht, ndërsa shifrat për vdekjet ditore për milion luhaten në mes 0.5 në 0.9.

Sistemet shëndetësore në Rumani, Bullgari dhe Letoni po e përballojnë me vështirësi situatën, me spitalet që funksionojnë me kapacitet 80% deri 100%. Rumania javën e kaluar shtyu të gjitha operacionet jo thelbësore, Bullgaria po lufton me një valë të testeve false të vaksinimit dhe certifikatave PCR dhe Letonia ka shpallur një urgjencë mjekësore.

Korrelacioni me progresin e vaksinimit duket i qartë. Përsëri sipas të dhënave të “Our World In Data”, Bullgaria dhe Rumania kanë normat më të ulëta të imunizimit në BE, me vetëm 20% dhe 29% të popullsisë së tyre të përgjithshme që kanë marrë dy doza. Letonia dhe Estonia po performojnë më mirë me 48% dhe 43%, por edhe ato shifra janë shumë larg nga përqindjet e regjistruara nga shumë vende të Europës Perëndimore./ Monitor

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë