Ekspertët dhe aktivistët e misioneve humanitare kanë paralajmëruar prej vitesh se kampet në verilindje të Sirisë, ku mbahen dhjetëra mijëra familjarë të luftëtarëve të ISIS-it, janë një “bombë me sahat”.
Megjithatë, shumica e shteteve e injoruan problemin, duke refuzuar të riatdhesojnë qytetarët e tyre. Që nga viti 2019, të paktën 8.000 gra dhe fëmijë nga 40 vende mbetën të bllokuar në kushte të tmerrshme.
Al-Hol, dikur kampi më i madh në botë, u shndërrua në një vatër të ideologjisë ekstremiste, ku po rritej një brez i ri anëtarësh të ISIS-it. Përveç rrezikut radikalizues, banorët përballeshin me kushte jetese kërcënuese, ku shumë prej tyre vdisnin çdo dimër nga asfiksia duke u përpjekur të ngroheshin nëpër tenda.
Situata ndryshoi muajin e kaluar kur Damasku mori kontrollin e Al-Hol pas tërheqjes së Forcave Demokratike Siriane (SDF). Që atëherë, kampi është zbrazur ngadalë përmes rrugëve kaotike.
Kontrabandistët dhe ish-luftëtarët po nxjerrin banorët çdo natë, duke i dërguar kryesisht në Idlib, një zonë jashtë kontrollit shtetëror. Të frustruar nga pasiviteti i qeverive të tyre, familjarët kanë nisur të organizojnë kthime private.
Gratë nga Belgjika dhe Shqipëria, arritën të hynin kontrabandë në Turqi pa koordinimin e autoriteteve, ndërsa një përpjekje për të riatdhesuar 34 australianë u ndalua përkohësisht gjatë rrugës për në Damask.
Ekspertët thonë se qeveritë e kanë humbur shansin për të menaxhuar riatdhesimin e kontrolluar. Tani, mijëra njerëz të lidhur me ISIS-in po enden të lirë, duke u bërë pre e rekrutimeve të reja ose trafikimit.
Tani riatdhesimi i tyre do të jetë shumë më sfidues për vendet e origjinës, si Britania e Madhe apo shtetet e tjera evropiane, pasi individët nuk janë më të përqendruar në një pikë, por të shpërndarë në zona konflikti. /tesheshi.com/


