Me lehtësimin e masave për Shqipërinë nga ana e BE-së, tashmë qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë në shtetet e unionit lirisht.

Ky vendim është pasuar nga vendimet individuale të shteteve të BE-së, shumë prej të cilave mbajnë në këmbë rregulla të caktuara, nëse një shtetas shqiptar kërkon të udhëtojë atje.

Vendet që nuk kanë asnjë rregull për kalim janë shtetet fqinje, konkretisht Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi. Në këto vende shqiptarët e Shqipërisë mund të shkojnë lirisht dhe pa patur nevojën e tamponëve apo vaksinave.

Një tjetër vend me interes për turizmin e shtetasve shqiptarë mbetet Turqia, e cila ka vënë disa kushte. Turqia kërkon test PCR vetëm nga ata shtetas që nuk e kanë kaluar Covid në 6 muajt e fundit dhe që nuk janë vaksinuar. Testi duhet kryer maksimumi 72 orë përpara nisjes.

Pasagjerët që posedojnë dokumentin për vaksinimin (minimumi 14 ditë para hyrjes në Turqi) dhe personat që vërtetojnë (me dokument) se e kanë kaluar Covid në 6 muajt e fundit, mund të udhëtojnë lirshëm.

Por ndryshe ndodh në shtetet e BE-së, disa prej të cilave kanë kushte specifike. Më poshtë po radhisim disa prej tyre.

(Për më tepër informacion, klikoni në këtë adresë për të parë për rregullat që mbajnë shtete të caktuara të BE-së për hyrjen e turistëve.)

Greqia

Dy janë dokumentet kryesore që kërkohen nga shteti grek për të lëvizur lirisht. Së pari dokumenti PFL. Regjistrimi i dokumentit të udhëtimit duhet bërë 24 orë përpara dhe mund ta aksesoni në këtë link : https://en.aegeanair.com/passenger-locator-form/

Së dyti me rëndësi është pasja e një tamponi (i shpejtë-deri në 40 orë para udhëtimit apo PCR- deri në 72 orë), ose një çertifikatë vaksinimi ose një dëshmi që personi ka kaluar Covid. Fëmijët mbi 12 vjeç duhet të kenë patjetër test.

Gjermania

Gjermania kërkon nga shtetasit shqiptarë një test ose një dëshmi e kalimit të sëmundjes ose një çertifikatë vaksinimi (kujtojmë se njihet vaksinat e njohura nga EMA, konkretisht : Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson).

Për udhëtarët që do të nisen me avion drejt Gjermanisë dhe nuk janë vaksinuar, nevojitet një test anti-Covid (test PCR- jo më herët se 72 orë përpara fluturimit, ose test antigen, jo më herët se 48 orë përpara fluturimit). Nuk është më i detyrueshëm regjistrimi digjital i udhëtimit dhe detyrimi i karantinës.

Franca

France lejon udhëtimin e shqiptarëve me pasaportë biometrike, të cilët kanë kryer vaksinat e njohura nga EMA. Përveçse vaksinës, kërkohet dhe një test PCR (deri në 72 orë para udhëtimit).

Franca e konsideron Shqipërinë në listën e vendeve me ngjyrë portokalli (me rrezik të ulët infektimi).

Pavarësisht, ata që nuk janë vaksinuar lejohen të udhëtojnë vetëm për arsye esenciale/ familjare/ studimi. Edhe kjo kategori duhet të ketë testin PCR ose një test antigen të 48 orëve të fundit.

Holanda

Holanda ka hequr kufizimet dhe të vetmin kriter që mban (edhe) për shtetasit shqiptarë, është pajisja me Formën e Deklaratës së Shëndetit, të cilin e gjeni në këtë link:

Austria

Për Austrinë, shqiptarët mund të udhëtojnë duke u pajisur me një test PCR apo test antigen, ose më një certifikatë vaksinimi (e njohur nga EMA, pra jo dhe vaksina kineze sinovac) ose me një certifikatë shërimi të lëshuar nga institucione të autorizuara. Më një prej këtyre dokumenteve mund të udhëtohet lirisht, pra edhe për turizëm. Nuk është I nevojshëm plotësimi I formularit të udhëtimit (Pre Travel Clearance)

Spanja

Spanja po ashtu lejon hyrjen e turistëve dhe lëvizjes së lirë me kusht që të jenë të vaksinuar (me një vaksinë të aprovuar nga EMA- Agjencia Evropiane e Barnave).

Të gjithë udhëtarët e vaksinuar duhet të dëshmojnë se kanë marrë dy dozat e nevojshme të paktën 14 ditë para se të hyjnë në vend. Fëmijët e pavaksinuar lejohen pa vaksinë deri në moshën 6 vjeç. Ata mbi këtë moshë duhet të kryejnë një test. Përpara udhëtimit, pasagjerët duhet të plotësojnë patjetër Formën e Shëndetit dhe të marrin kodin QR të udhëtimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re