Skip to content

Shteti pret në besë për të katërtën ditë me radhë qytetarët, asnjë ndryshim në Kakavijë, pala greke mbyll portat, pavarësisht premtimeve të Xhaçkës

Vijon të mbetet e njëjtë situata në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku mijëra qytetarë janë duke pritur në radhë prej 2 apo 3 ditësh, në pritje të hyrjes në shtetin grek.

Ndryshe nga sa u premtua dje nga ana e Ministres Olta Xhaçka, se kishte negociata me palën greke për shtyrjen e afateve të punës, sapo ka mbërritur ora 22:00 e mbrëmjes, grekët kanë ulur portat dhe nuk kanë lejuar që asnjë person të hyjë në tokën e tyre.

Puna ka rinisur vetëm mëngjesin e sotëm, ndërkohë që mijëra qytetarë kanë mbetur rrugëve, e radha e makinave vijon deri në afërsi të fshatit Jorgucat. Shkak për këtë radhë të jashtëzakonshme që është krijuar, janë testimet masive që Greqia kryen në kufi, me ekipe mjekësore me numër të kufizuar qytetarësh.

Për shkak të rritjes së numrave me Covid në shtetin helen, Greqia ka përforcuar kufijtë, ndërkohë qëb të gjithë qytetarët që do hyjnë në kufi pas datës 17 duhet të tregojnë patjetër një test të Covidit, që është kryer në 72 orët e fundit dhe që i nxjerr negativë.

Qytetarët kanë mbetur pa ujë dhe pa ushqime, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme në terren është vendosur dhe ushtria, për tiu ardhur sadopak në ndihmë. Ndërkohë që lidhur me këtë situatë nuk ka pasur qoftë edhe një reagim më minimal nga ana e kreut të qeverisë, i cili duket se kanalet zyrtare të komunikimit i ka shndërruar në vende elegjie, për personat që kanë humbur jetën, e të tjerë që kanë ditëlindjen.

/faxweb