Nëse Shqipëria e Kosova po shkojnë drejt një vale të re të Covid, mbase do të duhet pritur ardhja e vjeshtës për të folur me siguri. Por ajo që është e sigurt është se numra për infektimet ditore kanë shënuar rritje gjatë javëve të fundit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, në 24 orët e fundit janë kryer në total 5536 testime, prej të cilave 220 rezultojnë pozitive. Numri më i lartë i të infektuarve mbetet në Tiranë me 67 raste të reja në 24 orët e fundit.

“Janë kryer 5536 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid19, 220 qytetarë, në këto bashki: 67 në Tiranë, 17 raste në Vlorë, 16 raste në Shkodër, 15 raste në Fier, Sarandë, 13 raste në Elbasan, 9 raste në Lushnje, 8 raste Vau i Dejës, 5 raste  në Kukës, Durrës, Konispol, Gjirokastër, 4 raste në Kamëz, Tepelenë, 3 raste në Rrogozhinë, Mallakastër,  Pogradec, Berat, 2 raste  në Lezhë, Himarë, Kuçovë, 1 rast në Malësi e Madhe, Has, Tropojë, Kurbin, Krujë, Dibër, Mat, Rroskovec, Patos, Divjak, Përmet, Peqin, Gramsh, Prrenjas.”-njoftoi Ministria e Shendetësisë.

Aktualisht në spitalin infektiv (Covid1) janë të shtruar 33 pacientë. Fatmirësisht në 24 orët e fundit nuk ka patur humbje jete për shkak të virusit.

Kosova, shtim i ndjeshëm i infektimeve

Në Kosovë ndërkohë duket se numri i infektimeve ditore ka pësuar rritje të dukshme. Në 24 orët e fundit janë kryer në Kosovë  5272 testime. Prej tyre, 562 qytetarë rezultojnë të jenë të prekur. Fatkeqësisht gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë ndërruar jetë dy persona, ndërsa numri më i lartë i të infektuarve ndodhet në Prishtinë.

Autoritetet në Kosovë japin në informacionet e detajuara dhe numrat që tregojnë se shumica e infektimeve i përkasin grupmoshës 20-29 vjeçare. (Për më shumë informacion klikoni këtu)

Drejtuesi i Klinikës Infektive në QKUK Arben Vishaj, tha në një intervistë për median në Kosovë, se në 24 orët e fundit, një repart i tërë i klinikës është mbushur me pacientë të prekur nga Covid.

“Në 24 orët e fundit ne kemi pasur 15 pacientë të pranuar, që do të thotë një repart i tërë është mbushur për 24 orë. Ne i kemi gjithsej 6 reparte, dhe rrjedhimisht në qoftëse vazhdojmë me këtë trend, plotësimi i kapaciteteve tona do të bëhet jashtëzakonisht shpejtë. Për momentin ne i kemi 52 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive. I kemi 41 pacientë me oksigjeno-terapi dhe 3 pacientë të shtrirë në mjekimin intensiv. Ne i kemi 7 pacientë që kanë qenë të vaksinuar, prej tyre 4 me dy doza, 3 me nga një vaksinë. Te këta pacientë kemi vërejtur se manifestimet klinike kanë qenë më të buta. Kemi pasur edhe 3 pacientë të tjerë që e kanë kaluar COVID’in.

Ne e kemi përcjellur me vëmendje të madhe situatën edhe në vendet tjera, raportet kanë qenë që forma Delta përhapet jashtëzakonisht shpejtë dhe vaksinimi është i vetmi mjet i dobishëm dhe duhet që popullata sa më shpejtë të jetë e mundur të vaksinohet në mënyrë që këto shifra të mos jenë kështu siç janë”, tha Vishaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re