COVID-19 po përhapet në mënyrë të frikshme tek personeli mjekësor. Në Elbasan është infektuar pavioni ku lindin bebe. Mes të konfirmuarve pozitiv në këto 24 orë një prej tyre është dhe një e mitur.

Pesë rastet e fundit janë dy infermierë, një mjek pediatër në maternitet dhe vajza e një infermiereje të infektuar më herë në këtë qendër spitalore e cila ka infektuar dhe vajzën e saj 4-vjeçare. Ndërsa është në muajin e 8-të të shtatëzanisë.

Për momentin pavioni ku punonin të infektuarit e maternitetit është mbyllur.

Ndërkaq në Berat janë konfirmuar sërish të infektuar nga radhët e personelit shëndetësor. 2 prej tyre janë laborante të njësisë vendore të kujdesit shëndetësor. Gjithashtu rezultoi pozitive dhe një infermiere e qendrës shëndetësore të Urës Vajgurore.

Ndërsa e infektuara e katërt është një punonjëse fasonerie. Covid-19 është shtrirë dhe në një institucion arsimor. Një pedagoge në universitetin e Gjirokastrës rezultoi pozitive ndaj virusit.

Rasti i konfirmuar i pedagoges së Ekonomikut në Universitetin e Gjirokastrës ka detyruar Universitetin të mbyllë Fakultetin duke e izoluar tërësisht deri në një vërtetim të mjekëve që nuk ka raste të tjera me COVID.

Burime të “ABC News” tregojnë se pedagogia dyshohet se virusin e ka marrë nga studentet e ardhur nga rrethet, pasi pak ditë më parë është mbajtur një provim në këtë fakultet.

Më shumë detaje ka dhënë zv/ Rektori Jaho Cana.

“Pedagogia ka qenë në një provim në datën 7 korrik. Provimi ishte provim i mbartur dhe kishte pak studentë. Të gjithë janë vetëkarantinuar”, shprehet ai.

Po në cila është gjendja shëndetësore e pedagoges?

“Ajo është vetëkarantinuar dhe është në gjendje të mirë shëndetësore”, tregon ai.

Edhe në Shkodër është rënduar situata e të infektuarve të rinj. Vetëm në këto 24 orë janë regjistruar 11 të prekur të rinj.

Të gjithë të afërm të infektuarve të mëparshëm. Edhe në Kukës e Krujë janë konfirmuar përkatësisht 6 dhe 4 të prekur nga virusi.

Ato janë vatra të vjetra pjesë e zinxhirit të rasteve të mëparshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re