Tirana për herë të parë që nga nisja e pandemisë nuk ka regjistruar asnjë rast të ri në 24 orë. Lajmin e mirë e dha drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico në daljen e përdithshme për mediat. Ajo deklaroi se janë shtuar edhe 25 raste të reja, që u përkasin Kurbinit dhe Krujës.
“Në 24 orët që lamë pas rezultatet e situatës epidemiologjike janë si më poshtë: Janë testuar 242 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 25 raste pozitive me COVID-19. Vijon hetimi epidemiolog jik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar pozitivë 17 persona dhe në Kurbin ku kemi 8 raste të reja. Sot është dita e parë që nga fillimi i epidemisë që Tirana nuk ka asnjë rast të ri. Deri në këto momente janë testuar 6017 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 609 raste.”
Si çdo ditë tjetër, edhe këtë të martë është shtuar numri i të shëruarve.
“Gjatë 24 orëve të fundit, 18 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 345. Aktualisht në vendin tonë janë 238 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.”
Të shtruar në të dy spitalet COVID janë 40 pacientë. Fico apeloi që me qëllim që të mbahet situata nën kontroll, duhet të zbatohen rregullat.
