Iliada Kovaçi

Pothuajse gjatë gjithë muajit korrik temperaturat kanë qënë shumë të larta, ku termometri ka shënuar edhe 40 gradë. Rritja e temperaturave, rritja e rasteve të të infektuarve me covid-19 ka rritur edhe numrin e urgjencave, në QSU Nënë Tereza.

Personeli mjekësor I urgjencës ka raportuar se kryesisht janë urgjenca kardiake, urgjencat e neurologjisë dhe gastro-intestinale. Numri i urgjencave arrin afërsisht rreth 300 brenda ditës.

Një numër i lartë pacientësh me temperaturë po i drejtohen urgjencës çdo ditë. Në totalin e rasteve, rreth 80-100 raste janë pacientë në gjendje febrile dhe me gastrointerite. Rastet me covid janë shtuar gjithashtu. Pacientët vijnë në gjendje të rënduar dhe shtrohen minimumi 5-6 në ditë” – raporton mjek në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme, Dr. Anduela Cuko.

Gjithashtu ajo është shprehur për gazetën Shëndeti duke thënë se: “I gjithë ky fluks vjen për arsye se pacientët nuk i drejtohen mjekut të familjes por menjëherë urgjencës. Ndaj përballemi shpesh me të tilla situata, ku e mira është sigurisht të kryhen fillimisht vizita tek mjeku i familjes”, përmbyll mjekja Cuko.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re