Në 24 orët e fundit janë konfirmuar pozitivë edhe 22 persona të tjerë. Numri total i të infektuarve shkon kështu në 584. Të dielën u regjistruan 14 raste të reja, çka do të thotë se këtë të hënë ka një rritje.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 233 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 22 raste pozitive me COVID19. Nga rastet e reja 3 janë në Shkodër, 2 raste në Tiranë. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në vatrën e Krujës ku kanë rezultuar pozitivë 5 persona dhe në Kurbin ku kemi 12 raste të reja.   Deri në këto momente janë testuar 5775 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 584 raste”, tha Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ajo sqaroi se numri i të shëruarve nga ana tjetër vijon të rritet, duke shkuar në 327.

“Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 327. Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë. Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.”

Numri i pacientëve në gjendje të rëndë mbetet i pandryshuar, 10 prej tyre marrin trajtim në kujdesin intensive. Ndërsa katër prej tyre janë të intubuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re