Gjermania po njeh një bum të vendeve të reja të punës. Numri i personave që kanë punuar në ekonominë më të madhe të Evropës, në 2017-ën, nuk ka qenë asnjëherë më i lartë.
Pavarësisht një popullsie të moshuar, 600 mijë njerëz më shumë janë punësuar gjatë 2017-ës, kryesisht falë një rritjeje të emigracionit. Të dhënat janë publikuar nga zyra federale e statistikave, sipas të cilës, kjo përbën rritjen e 12 radhazi të vendeve të punës në Gjermani.
Forca punëtore është rritur në sektorin e shërbimeve, që përmbledh 3/4-at e punëtorëve, por edhe në prodhim dhe ndërtim. Në anën tjetër, ka pasur një rënie të vendeve të punës me 0.3 për qind në sektorin e bujqësisë.
Numri i kontribuuesve në sistemin e sigurimit social është rritur ndërsa numri i punëtorëve me të ardhura të ulëta është ulur. Në nëntor, shkalla e papunësisë në Gjermani po ashtu arriti nivelin më të ulët që nga koha e ribashkimit mes lindjes dhe perëndimit në 1990, me vetëm 5.3 për qind të popullatës aktive pa një vend pune.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re