Sikundër u njoftua një ditë më parë nga operatorët e tregut, këtë të martë në pikat e tregtimit karburantet shënuan rritje.

 

Nafta u rrit me 13 lekë duke u tregtuar me 221 lekë për litër. Ndërsa benzina u shtrenjtua me 5 lekë, duke u shitur me 211 lekë për litër. Ndërsa gazi i lëngshëm ka mbetur në 93 lekë. Reflektimet e çmimeve nisen nga operatorët në mëngjesin e kësaj të marte dhe si pasojë e shtrenjtimit të një fuçie në tregjet ndërkombëtare. Por të shumtë janë ato biznese që kanë kundërshtuar këtë nisëm.

 

Kreu i dhomës amerikane të tregtisë Enio Jaco, në një qëndrim zyrtar thotë se makanizimi I kontrollit të çmimeve krijon arbitraritet dhe nuk është zgjidhje për problemet e tregut.

 

Çmimi i karburantit në Shqipëri ka qenë gjithmonë i lartë. Në fakt, Shqipëria radhitet ndër vendet më të larta në botë për çmimin e karburanteve në raport me të ardhurat mesatare. Shkak i kësaj situate kanë qenë politikat e cunguara mbi rregullat e tregut të lirë, funksionimin e çmimeve dhe sistemin e taksave etj. Pikërisht në këtë moment, duhet vlerësuar niveli i konkurreshmërisë së tregut – nëse çmimet jane më të lartat në botë për të ardhura popullsië atëherë diçka nuk shkon me nivelin e konkurrencës. Taksat mund të adresohen me politika të përkohshme lehtësuese ndërsa konkurrenca duhet të rritet ndjeshëm në mënyrë që të prevalojnë presionet mbi uljen e çmimeve.

 

Presidenti i dhomës amerikane vijon më tej qëndrimin e tij se përcaktimi I çmimeve nuk është detyrë e qeverisë Menaxhimi i çmimeve është detyrë e sektorit privat dhe jo e qeverisë. Qeveria do e ketë të pamundur t’i menaxhojë suksesshëm këtë proces, sepse është tepër kompleks dhe nuk i ka mjetet e duhura për ta bërë. Koha dhe historia globale ka treguar që vetëm tregu i lirë dhe konkurrent krijon çmimet më të mira për konsumatorin. Qeveria mund të përmirësojë kushtet për funksionimin e duhur të tregut, por ndërhyrja në rregullimin e çmimeve lë vend për arbitraritet, dhe krijon premisa të gabuara për lirinë e tregut.

 

Ndryshe nga vendet e tjera që kanë marrë masa duke ulur taksat dhe tatimet për të amortizuar efektin e çmimeve, qeveria ka ngritur borde për të monitoruar tregjet duke ngrirë apo ulur marxhet e fitimeve të kompanive.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re