Koncesioni i pullave fiskale, i cili ka rënduar kostot e biznesit, por që ende nuk i ka dhënë zgjidhje përfundimtare tregtisë së paligjshme, u shty edhe me dy vite.

 

Kontrata e miratuar mes ministrisë e financave dhe kompanisë private u miratua në 2011 dhe përfundoi në 2022.

 

Ministria e financave sqaron pse u mor ky vendim.

 

Ishim në përfundim të kontratës dhe shtruam për diskutim disa alternativa. U ngrit një punë për të parë mundësinë a mund të kryhej ky shërbim nga një ent publik, aq mund të ritenderohet nga e para. Por në pamundësi kohe për të ndërmarrë këto vendime, grupi i punës konkludoi që të shtyjë me një afat dy-vjeçar këtë koncesion si dhe të bëjë disa ndryshime në kontratën shtesë-sqaroi Niko Lera, drejtor i politikave fiskale në ministri.

 

Biznesi ka ngritur prej kohësh shqetësimet për kostot e larta që paguan për këtë shërbim. Konkretisht çmimi mesatar në Europë i pullave është 3 $ për 1000 copë, ndërsa në Shqipëri 22 dollarë. Por rishikimi i kontratës duket se do të shoqërohet me një ulje të lehtë të tarifave me rreth 10% për çdo produkt.

 

Garancia në prodhim dhe shpërndarja e këtyre pullave duket se është një nga arsyet pse aplikohen këto çmime. Por nisur nga ky shqetësim i biznesit, grupi i punës ka rishikuar me ulje tarifat për produktet e akcizës, me qëllim reduktimin e kostove, për një periudhë të përkohshme dy vjecare, me synim gjetjen e një zgjidhje përfundimtare për reduktim të mëtejshëm të kostove.

 

Pullat vendosen në produktet e akcizës, si cigare, birrë, barna, alkool në momentin e hedhjes për konsum. Por duket se, pas koncesionit të prodhimit të pasaportave, shërbimi i pullave fiskale mund të kalojë si shërbim publik.

 

Do të bëhen analiza konkrete, për të parë kush do të jetë zgjidhja më e leverdishme. Nëse do të ketë mundësi shteti, duke mos rënduar buxhetin pa rritur kostot, pse jo ky shërbim të ofrohet nga entet publike.

 

Koncesioni i pullave është një ndër më të kundërshtuarit nga biznesi, pasi ka rënduar kostot. Deri më sot nuk ka një analizë të qartë të përfitimeve nga ky koncesion në luftën ndaj evazionit fiskal në mallrat e akcizës. Koncesionari ka një xhiro vjetore prej rreth 70 mln euro.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re