Shtyhet për në datën 21 tetor seanca gjyqësore në ngarkim të 28 vjecarit turk Faruk Ozer, kjo pasi pala mbrojtëse ka kërkuar të njihet me provat. Në seancën e sotme ishte programuar të vendosej për masën e sigurisë dhe ekstradimin e tij.
Në përfundim të seancës avokati theksoi se është e drejta e palës mbrojtëse të njihet me aktet dhe provat në ngarkim të klientit të tij Seanca gjyqësore e kryesuar nga gjykatësi Elis Dine dhe prokurori Kreshnik Ajazi u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa ajo u ndoq dhe nga përfaqësues të ambasadës turke.
Faruk Fatih Özer u arrestua në Vlorë më 30 gusht 2022. Turqia kërkoi ekstradimin e tij ndërkohë që në Shqipëri, Gjykata e Elbasanit kishte vendosur për të, më 2 shtator 2022 masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Kurse Ozer i ka mohuar akuzat dhe ka shtuar se ky që po i bëhet është një sulm politik.
Ndërkohë në Turqi zyra e prokurorisë kërkon që pronari I Thodex, monedhës virtuale turke, të dënohet me 40, 562 vite burg për 3 krime.
Faruk Fatih Özer u arratis nga Turqia me 2 miliard dollarë, të cilat i kishte fituar duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”. Ai kishte mashtruar rreth 360 mijë përdorues të kompanisë së tij, ‘Thodex’.
Ai rezultoi të ishte futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të vitit të shkuar, ndërkohë që dolën dhe pamje filmike nga momenti kur u akomodua në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.