Qeveria e Kosovës ka shtyrë me 15 ditë afatin për riregjistrimin e automjeteve nga targat e vjetra serbe në RKS, me përfitime financiare.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se vendimi i datës 30 tetor 2023, me të cilin u zgjat afati i regjistrimit të automjeteve me përfitime financiare për pronarët e automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR” , “PE”, “DA” ose “ĐA” shtyhet deri më 15 dhjetor 2023.

“Ky ndryshim vjen si rezultat i kërkesave të shumta dhe interesimit të madh për regjistrimin e veturave me targa ‘RKS’”, thuhet në qeveri.

Kërkesën për shtyrjen e afatit e ka dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës Drejtoria Veriore e Policisë së Kosovës.

Deri tani janë riregjistruar 3000 automjete

Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin Verior, Veton Elshani, më herët ka konfirmuar se për shkak të interesimit të qytetarëve është dërguar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës për vazhdimin e afatit për riregjistrimin e automjeteve, me stimulim financiar me 15 ditë.

Elshani ka deklaruar se nga 1 nëntori e deri më sot janë riregjistruar më shumë se tre mijë vetura me targa RKS.

Sipas vlerësimeve, në veri të Kosovës janë rreth 10 mijë vetura të cilat nuk janë riregjistruar në targa RKS.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re