Është shtyrë procesi gjyqësor për ekstradimin e shtetases ruse Svetlana Timofeeva, e arrestuar për sulmin në repartin ushtarak në Cekin të Gramshit në datë 20 Gusht të vitit të kaluar. Shkak për shtyrjen e procesit të sotme u bë mungesa e prokurorit të çështjes Mustafa Turku për arsye shëndetësore.

Ndërkohë gjykatësi i cili do të shqyrtojë këtë çështje është i riu Elis Dine. 33-vjeçarja ka hyrë në sallën e gjyqit dhe janë lexuar vetëm gjeneralitetet. Ajo vetë është shfaqur e qetë teksa ka komunikuar disa herë nëpërmjet xhamit me avokatin e saj ndërsa shoqërohej në kafazin e qelqtë nga tre punonjës të policisë.

Ministria e Drejtësisë i ka dërguar kërkesën zyrtare autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse, Prokurorisë së Elbasanit për ekstradimin e saj, por blogerja 33-vjeçare nuk ka pranuar kthimin në vendin e saj.

Sipas autoriteteve ruse të drejtësisë, rezulton se blogerja është person i shpallur në kërkim për veprën penale “Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror”. Ndërkohë, në Shqipëri Timofeeva është nën hetim për ngjarjen në uzinën e Gramshit.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re