Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të shtyjë për në datën 29 Janar seancën për gjyqtaren Enkelejda Hoxha, duke pranuar kërkesën e kësaj të fundit për më shumë kohë në dispozicion.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Hetimi i ILD ndaj Hoxhës, nisi si rezultat i ankesës së bërë nga Ministria e Drejtësisë për lirimin e shumë personave të dënuar me burg për jetë, mes tyre dhe Endrit Doklen, ish-numri dy i bandës së Durrësit.

Njoftimi:

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani asistoi sot në seancën dëgjimore në Këshillin e Lartë Gjyqësor për shqyrtimin e kërkesës për masën disiplinore “shkarkim nga detyra” për magjistraten E.H.me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për shkelje të rënda profesionale që diskretitojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani u shpreh dakord me kërkesën e magjistrates E.H. e cila i kërkoi kohë KLGJ-së për të përgatitur parashtresat e saj për raportin hetimor të paraqitur nga ILD.

Këshilli i Lartë Gjyqesor pranoi kërkesën e magjistratës E.H. dhe caktoi seancën e rradhës dëgjimore më 29 Janar ora 11.00.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re