Dy grabitës, që shtynë djalin 12-vjeçar të pronarit të banesës të grabiste 6 milionë lekë në kasafortën e familjes së tij, janë arrestuar nga policia.
Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale A.S. dhe S.T., për veprën penale ‘Vjedhja’ me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim dhe ‘Shtyrja e të miturve në krim’.
Ndërkohë u caktua masa e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 12-vjeçarin me iniciale M.S. për veprën penale ‘Vjedhja’ me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim.
Ngjarja u denoncua nga babai i të miturit më 27 Dhjetor 2023 dhe është zbardhur pas 18 muajsh hetime.
“U provua se i mituri u përdor nga dy të arrestuarit për të marrë kursimet e familjes dhe se u dha lekë këtyre shtetasve për një periudhë pesë mujore Korrik-Nëntor të vitit 2023”, informon prokuroria e Korçës.
“Shtetasit A.S. dhe S.T. dhe i mituri në konflikt me ligjin M.S., kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme pasurinë e luajtshme të denoncuesit, fakt që rezultoi i provuar, por edhe i pranuar nga deklarimet e marra personave nën hetim, duke përdorur si ekzekutor shtetasin e mitur A.S. të moshës 12 vjeçare”, theksoi organi i akuzës.
Njoftimi:
Përdorën të miturin për të vjedhur mbi 6 milionë lekë kursime të familjes, me kërkesë të Prokurorisë Korçë arrestohen shtetasit A.S dhe S.T. për ‘Vjedhje’ me pasoja të rënda
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, u arrestuan shtetasit A.S. dhe S.T., për veprën penale ‘Vjedhja’ me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim dhe ‘Shtyrja e të miturve në krim’ parashikuar nga nenet 134/3 dhe 129 e 25 i Kodit Penal. Ndërsa u caktua masa e sigurimit ‘Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ për të miturin M.S. për veprën penale ‘Vjedhja’ me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim dhe ‘Shtyrja e të miturve në krim’ parashikuar nga nenet 134/3 dhe 129 e 25 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1319, datë 27.12.2023, të nisur si pasojë e denoncimit të shtetasit A.S. pas konstatimit se në kasafortën e shtëpisë së tij mungonte një shumë 6.6 milionë lekë (të reja), prokuroria ngriti dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se paratë janë marrë nga fëmija i mitur i denoncuesit, i përdorur nga shtetasit e arrestuar për të vjedhur shumën e parave.
Hetimet 18 mujore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë provuan se i mituri u përdor nga dy të arrestuarit për të marrë kursimet e familjes dhe se u dha lekë këtyre shtetasve për një periudhë pesë mujore Korrik-Nëntor të vitit 2023.
Sipas prokurorisë ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se, shtetasit nën hetim S.T. dhe A.S., ky i fundit recidivist në këtë vepër penale, dhe i mituri në konflikt me ligjin M.S. kanë kryer veprat penale “Vjedhja” me pasoja të rënda e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/3 i K.Penal dhe “Shtytja e të miturve në krim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 129 e 25 i K.Penal.
Shtetasit A.S. dhe S.T. dhe i mituri në konflikt me ligjin M.S., kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme pasurinë e luajtshme të denoncuesit, fakt që rezultoi i provuar, por edhe i pranuar nga deklarimet e marra personave nën hetim, duke përdorur si ekzekutor shtetasin e mitur A.S. të moshës 12 vjeçare.