Partia Demokratike e cilëson si një dështim të Ramës, vendimin për shtyrjen me tre muaj të fatkeqësisë natyrore. Deklarata u bë nga kryedemokrati Lulzim Basha gjatë një interviste televizive. “Pse u shty emergjenca? E shpjegoi kryeministri këtë? Shpjegoi që këto 5 javë që ka kërkuar sakrificë të shqiptarëve për të qëndruar në shtëpi nuk ka marrë asnjë masë reale për të na treguar ku është infeksioni? Kjo mundet kur ti ke mjaftueshëm testime. Na shpjegoi pse e ka marrë këtë masë në raport me atë që duhet të bëjë për të mbështetur të prekurit nga kjo masë, sepse sa e shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë presupozon që qeveria do të vazhdojë të ushtrojë pushtetet e veta për të urdhëruar mbyllje të bizneseve apo reduktim të orareve. Pra, në masa shtrënguese kemi qenë të bollshëm, në komunikim në facebook kemi qenë të bollshëm, por deri më sot, qeveria dhe kryeministri kanë dhënë me pikatore ndihmën që qytetarët meritojnë, ndihmën financiare apo ushqimore për të cilat qytetarët dhe bizneset kanë më shumë se kurrë nevojë sot. Ndaj, nga kjo pikëpamje, shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është një tjetër provë e dështimit të qeverisë në këto 5 javë për t’u përballur me krizën”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së foli dhe sa i përket amnistisë fiskale të shpallur nga qeveria, ku sipas tij, kjo është një shashkë dhe se është një ide e vjetër.. “Pra është një truk për ta zhvendosur vëmendjen nga  braktisja totale që 5 javë pas nisjes së intensifikimit të krizës dhe karantinës dhe bllokimit ekonomik, karakterizon qeverinë e Tiranës që është e fundit në Europë qoftë me ngadalësinë e masave  të shpallura dhe ç’ështe më e rënda në moszbatimin e këtyre masave. Hapa që hidhen gjysmakë, hapa që  shpallen nga Facebook-u, por që kurrë nuk arrijnë tek qytetari, nuk arrijnë tek pensionisti, nuk arrijnë tek njerëzit në nevojë ekonomike, nuk arrijnë tek biznesetë e qeverisë për të mbuluar problemet”, u shpreh Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re