Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të qeverisë për shtyrjen e aplikimit të reformës në paga për muajin maj, duke thënë se kjo zvarritje konfirmon se e gjitha ishte një reklamë pa pagesë gjatë fushatës elektorale.

 

“Zvarritja e pakuptimtë e qeverisë me rritjen e pagave kur ka që në dhjetor që i reklamom dhe mbasi janë miratuar dhe në parlament tregon se premtimi rritjes së pagave ishte reklamë e papaguar fushate dhe nuk ishte i bazuar në llogaritje korrekte të buxhetit.

 

Nuk e di si ta kuptojmë Ministren e Financave që ka muaj që thotë paratë janë atje, që janë llogaritur efektet, që hyn në fuqi me sot me nesër”, thotë Tabaku.

 

Tabaku shton se ligji është miratuar në Kuvend dhe shtyrja e zbatimit të tij dëshmon paaftësinë e institucionit të Ministrisë së Financave.

 

“Paaftësia dhe këmbëngulja krenarisht në të nuk duhet të jetë justifikim për shtyrjen në kohë të një ligji të miratuar në parlament dhe të dekretuar.

 

Ministri Financash që ngatërrohet në llogari është e pazonja të manaxhojë arkën e taksave të  shqiptarëve”, shton Tabaku.

 

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj bëri me dije se pagat e majit nuk do të përfitojnë vlerën që iu shtohet si pasojë e reformës, kjo për shkak të ngarkesës në dokumentacion.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re