Zyra e Shërbimit Federal të Ndëshkimit të Rusisë për Qarkun Autonom Yamalo-Nenets njoftoi se lideri i opozitës ruse Alexei Navalny, i cili po vuante dënimin me burg atje, ka vdekur.

Më 16 shkurt 2024, në koloninë korrektuese numër 3, i dënuari A. A. Navalny është ndjerë keq pas një shëtitje dhe pothuajse ka humbur ndjenjat”, thuhet në një deklaratë në faqen e institucionit të burgut

Shtohet se punonjësit mjekësorë të institucionit kanë mbërritur menjëherë dhe se “është thirrur një ambulancë”.

“Janë kryer të gjitha reanimacionet e nevojshme, por nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Mjekët e urgjencës deklaruan vdekjen e të dënuarit. Po përcaktohen shkaqet e vdekjes”, thuhet në deklaratën e Shërbimit Federal për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale.

Një burg pranë ish-gulagut

Navalny, i cili ishte 47 vjeç, njihej si një kritik i ashpër i Kremlinit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ai u transferua në një burg në rajonin Arktik të Rusisë veriore, rreth 70 kilometra në veri të Rrethit Arktik dhe rreth 1900 kilometra në verilindje të Moskës.

Kolonia “regjimi special” ose “Ujku Polar” është një nga më të rreptat në sistemin e burgjeve ruse, i vendosur në një vend me dimër të ashpër.

Shumica e të burgosurve aty janë të dënuar për krime të rënda. Eshtë rreth 100 kilometra nga Vorkuta, minierat e qymyrit të së cilës ishin pjesë e sistemit të kampeve sovjetike Gulag.

Ish-avokati dhe kritiku i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin u dënua në gusht me 19 vjet burg shtesë, mbi 11.5 që kishte kryer tashmë.

Ai e quajti dënimin me tridhjetë vjet burg të vendosur për akuzat e ekstremizmit dhe mashtrimit si hakmarrje politike për drejtimin e opozitës anti-Kremlin në vitet 2010, shkruan The Guardian.

Kthimi në Rusi pas helmimit

Navalny, një ish-politikan nacionalist, ndihmoi në ndezjen e protestave të 2011 dhe 2012 në Rusi, duke bërë fushatë kundër mashtrimit zgjedhor dhe korrupsionit qeveritar, duke hetuar rrethin e ngushtë të Putinit dhe duke ndarë gjetjet në video që kanë tërhequr qindra miliona shikime.

Kulmin e karrierës së tij politike e përjetoi në vitin 2013, kur fitoi 27 për qind të votave në garën për kryebashkiak të Moskës, gjë që pakkush besonte se ishte e drejtë.

Në vitin 2020, Navalny ra në koma dhe u dyshua se ishte helmuar me Novichok nga Shërbimi i Sigurisë Ruse (FSB), pas së cilës ai u evakuua në Gjermani për trajtim.

Ai u shërua dhe u kthye në Rusi në janar 2021, ku u arrestua për shkelje të lirimit me kusht dhe u dënua me të parën nga disa dënime me burg.

Kremlini njoftoi se presidenti Vladimir Putin ishte informuar për vdekjen e Navalny-t.

I është raportuar presidentit,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke shtuar se “mjekët duhet të sqarojnë” shkakun e vdekjes së Navalny.

Tej këtyre qëndrimeve të forta zyrtare, një gjë është e qartë: është shuar njeriu i radhës prej atyre që e cenojnë regjimin putinisk të Moskës, sigurisht, në formën e njohur konspiracioniste.

Kujtojmë se muaj më parë do shuhej dhe Prigozhini famëkeq, aleati i Putinit i shndërruar në kundërshtar e të rebeluar në një moment. Avioni me të cilin koka e Wagner-it po fluturonte, u rrëzua.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re