Në muajin korrik të këtij viti, lajmi për shpërthimin e një bombule gazi në një hotel në Velipojë, do të ishte kryelajmi i ditës. Flakët që përfshinë hotelin lënduan rëndë pjesëtarët e familjes Gjoka, Alketën 40 vjeçe, dy vajzat e saj 15 vjeç e 19 vjeçe, si dhe djalin e vogël 12 vjeçar.

Në atë kohë nëna e 40 vjeçares tregoi se e bija kishte shkuar për të bërë një kafe në mëngjes në një bombul gazi, e cila shpërtheu. Flakët përfshinë trupin e 40 vjeçares e po ashtu dhe të fëmijëve, që në atë kohë flinin gjumë.

Pas qëndrimit për disa ditë në spitalin e Tiranës, familja u nis për kurim drejt Italisë. Ditë kaluan e njëra pas tjetrës, erdhën lajmet e kobshme për largimin nga kjo botë të dy vajzave e më tutje nënës së tyre. E para ndërroi jetë 19 vjeçarja Daniela, më tutje e motra Klarisa e më pas nëna e tyre.

Sot në median shqiptare është përcjellë lajmi se ka ndërruar jetë dhe vogëlushi 12 vjeçar, i cili po ashtu nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra muaj më përpara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re