Inxhinieri dhe sipërmarrësi austriak Gaston Glock, i cili zhvilloi një nga pistoletat më të shitura në botë, ndërroi jetë të mërkurën në moshën 94-vjeçare.

Ai u bë miliarder dhe legjendë falë pistoletave që mbanin emrin e tij. Sipas Forbes, pasuria e tij arriti në 1.1 miliardë dollarë në vitin 2021.

Ai hodhi themelet e perandorisë së tij në vitet 1980, kur ushtria austriake po kërkonte një armë të re, inovative. Deri atëherë, kompania Glock prodhonte thika dhe pajisje ushtarake si shufra perdesh.

Me ndihmën e ekspertëve të armëve të zjarrit, ai zhvilloi Glock 17, një pistoletë gjysmë automatike e lehtë e bërë nga polimer me forcë të lartë. Dizajni i tij revolucionar u dallua nga konkurrenca dhe i dha Glock kontratën e parë të majme. Brenda një kohe të shkurtër, pistoleta Glock u bë një sukses mbarëbotëror.

 “Merr një Glock dhe hidhe atë armën e nikeluar bro”, tha Tommy Lee Jones në një skenë nga filmi i vitit 1988 “U.S Marshals”. Pistoletat Glock janë përdorur gjerësisht nga policia në SHBA dhe më gjerë, dhe janë referuar në këngët e reperëve amerikanë si “Protocol” e Snoop Dogg dhe “Da Glock” e Wu-Tang Clan.

Në vitin 2003, ushtarët amerikanë gjetën presidentin e rrëzuar irakian Sadam Husein në strehën e tij nëntokësore pranë Tikrit, me një pistoletë Glock në posedim të tij. Ata më vonë ia dorëzuan armën presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Xhorxh W. Bush, sipas një raporti të New York Times.

Por mbrojtësit e kontrollit të armëve kanë kritikuar Glock për përhapjen e armëve të tij, të cilat janë përdorur në shumë krime. Një ish-marins i armatosur me një Glock vrau 12 persona në një bar në Kaliforni në nëntor 2018. Në qershor 2015, një person i armatosur i ekstremit të djathtë vrau nëntë afrikano-amerikanë me një Glock në një kishë në Charleston, Karolina e Jugut.

Gaston Glock ka shmangur sistematikisht përgjigjen ndaj kritikëve të tij dhe në vitin 2000 refuzoi të nënshkruajë një marrëveshje me prodhues të tjerë armësh për të kufizuar zotërimin e armëve në SHBA.

Në moshën 70-vjeçare, në korrik të vitit 1999, ai u sulmua me vare nga një ish-mundës, i cili ishte punësuar nga një ndërmjetës që menaxhonte pasuritë e biznesmenit austriak. Gaston Glock mori shtatë goditje në kokë, por mbijetoi. Ndërmjetësi Charles Evert dhe autori Jacques Pesser u dënuan për sulmin dhe u burgosën.

Martesa e tij me Helga Glock – me të cilën kishte tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) – përfundoi në divorc në vitin 2011 pas 49 vitesh. Manjati më pas u martua me gruan e tij të dytë, Catherine, 52 vjet më e vogël se ai.

Ai zotëronte një rezidencë dhe qendër kuajsh në shtetin austriak të Carinthia, ku herë pas here priste njerës të famshëm. /tesheshi.com/

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re