Nëna e bosit famëkeq meksikan të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman vdiq të dielën në moshën 95-vjeçare nga ndërlikimet gjatë një operacioni në  fshikëzën e tëmthit, njoftuan familjarët dhe mediat.

Maria Consuelo Loera vdiq në një spital në Culiacan, kryeqyteti i shtetit Sinaloa në veriperëndim të Meksikës, një bastion i kartelit të drogës i themeluar nga djali i saj, sipas të njëjtave burime.

El Chapo, i cili për vite konsiderohej si një nga bosët më të fuqishëm të drogës në botë, u arrestua nga autoritetet meksikane në vitin 2016 dhe u ekstradua në SHBA në vitin 2017.

Pasi u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë e Neë York-ut në korrik 2019, ai po vuan dënimin në një burg të sigurisë maksimale në shtetin e Kolorados.

Pas dënimit të “El Chapo”, djemtë e tij, të njohur me pseudonimin “Chapitos” (“Çapos i vogël”), trashëguan kontrollin e kartelit Sinaloa, sipas autoriteteve amerikane.

Disa prej tyre janë ndjekur penalisht nga autoritetet amerikane.

María Consuelo Loera bëri një paraqitje të dukshme publike në mars 2020 kur u takua me presidentin meksikan Andrés Manuel López Obrador, i cili po vizitonte shtetin e Sinaloa. Presidenti shkoi t’i shtrëngonte dorën ndërsa ajo ishte në makinë, gjë që bëri bujë.

Nëna i kishte kërkuar kreut të shtetit që ta ndihmonte për të siguruar një vizë pasaporte për të vizituar djalin e saj në burgun e sigurisë maksimale ku ai vuan dënimin në SHBA.

Por ajo nuk mundi të shkonte kurrë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re