Ka kaluar në botën tjetër ai që njihej si mjeku personal i Enver Hoxhës, Isuf Kalo.

Raportohet se ai ka dhënë frymën e fundit në moshën 80-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Në një biografi për të, thuhet se lindi në vitin 1942 në Tepelenë. Studimet i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.

Më pas u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji, duke qenë një nga pionierët e këtij specialiteti në Shqipëri. Ndaj dhe për disa vite ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës.

Ai do bëhej më i njohur në mesin e viteve ‘80-të, duke u emëruar pranë ekipit të mjekëve që trajtonte Enver Hoxhën, pa pranuar të quhej “mjek personal” i tij. Për këtë pozicion, ai ka thënë se kishte marrëdhënie personale me udhëheqësin komunist, si dhe marrëdhënien pacient-doktor.

Pas viteve ’90-të ai pati një shkëputje me Shqipërinë, pas nga 1991-shi e deri 2004-ën u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën në Kopenhagen), duke drejtuar Programin Evropian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë.

Më pas u kthye në Shqipëri, duke vijuar të kontribuojë me botime mjekësore. Shkroi gjithashtu dhe një libër me kujtime për jetën e Bllokut, por pa ndonjë befasi. Madje mbajti distancë me rolin apo pozicionin e Berishës në jetën e Bllokut e pranë familjes Hoxha, si njeriu që e tërhoqi aty mjekun tropojan të zemrës, te ekipi ku bënte pjesë.

Në këtë pikë, mund të thuhet se shkoi gojëkyçur për aspekte ende të plot pikëpyetje të rolit të Berishës nën diktaturë. /tesheshi.com/

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re