Ndahet nga jeta në moshën 63-vjeçare mjeshtri i valles shqiptare, Rexhep Çeliku. Pas një sëmundjeje të rëndë, me të cilën luftonte prej vitesh, “shqiponja e skenës shqiptare”, u shua në orët e para të mëngjesit.
 
Rexhep Çeliku ndoqi trashëgiminë e të atit, duke i dhënë valles popullore shqiptare portretin e tij të hekurt dhe lëvizjet plot jetë në çdo skenë që u ngjit për të kërcyer.
 
Me pasion dhe përkushtim, Rexhep Çeliku kërceu edhe në këtë 60-vjetor Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që ishte edhe i fundit koncert që realizoi si valltar dhe koreograf.
 
Mjeshtri numëron të interpretuara si solist i parë 200 valle dhe më shumë se 8000 shfaqje artistike brenda dhe jashtë kufijve.
 
Vetëm pak ditë më parë, Presidenti Meta e nderoi me titullin “Nder i Kombit”, ndërsa vite më parë presidenti Alfred Moisiu e kishte vlerësuar me çmimin “Mjeshtër i madh”.
 
Rexhep Çeliku ka shkruar disa nga faqet më të spikatura të artit shqiptar, në fillim si valltar e kohët e fundit si koreografi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Homazhet për artistin do të mbahen nesër ne orën 11 në Muzeun Historik Kombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re