Tërmeti me magnitudë 4.8 i shkallës Rihter, duket se ka lënë pas dëme të mëdha në Bashkinë e Pukës, veçanërisht në banesat e vjetra që janë të pranishme gjerësisht në zonë.

Në një lidhje telefonike për Fax news, kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, tha se dëme ka pasur në pallate, por edhe në godinat e institucioneve publike, përfshirë spitalin e qytetit.

Sipas tij, paraprakisht dëmet nga tërmeti vlerësohen rreth 3 milionë euro, e cila është një faturë e papërballueshme për pushtetin lokal.

Gjonaj u shpreh se më e rëndësishmja mbrëmjen e djeshme ishte që fatmirësisht nga tërmeti nuk pati dëme në njerëz, ndërkohë që paniku tek qytetarët ka qenë mjaft i madh.

Gjon Gjonaj: Tërmeti i mbrëmjes së djeshme, që i shkallës relativisht të rrezikshme, e gjithë popullata doli në shesh, shumë orë qytetarët nuk u kthyen në banesa, kishte dëme materiale të konsiderueshme.

Ka pasur shkallë të ndryshme dëmtimi të godinave, përfshirë edhe spitalit, ne jemi në terren, dhe së shpejti ne pritet që të dalim me një faturë. Duhet të jemi shumë të lumtur që nuk kemi pasur jetë njerëzish të humbura.

Dëmtime në banesa, pothuajse ka në të gjitha ndërtesat e vjetra, kemi pasur dëmtime edhe në fshatra, që kanë qenë të vjetra. Duhet të gjejmë mundësinë për të larguar panikun te njerëzit, ne do të bëjmë të pamundurën që të ndërhyjmë në rikonstruksionin e banesave, përfshirë edhe oxhaqet.

Mbas një kohe rreth dy orë e gjysmë, të gjithë banorët u rikthyen në banesa, nuk kemi situata ku banesat të jenë tërësisht jashtë funksionit. Do të ndihmojmë me ushqime, me gjona, që të ndihmojmë në heqjen e stresit të banorëve.

Ne e kemi të pamundur që të përballojmë ekonomikisht pasojat e këtyre dëmeve, që mund të shkojnë deri në 3 milionë euro.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re