Kryetari i Lëvizjes Bashkë dhe ish-kandidat për Bashkinë e Tiranës, Arlind Qori, është shprehur se një problem për forcën politike që ai drejton, ka qenë se shumë qytetarë nuk i kanë njohur, për shkak sipas tij, edhe të aksesit të pakët që kanë pasur në media.

Komentet Qori i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku tha se kandidatët e tjerë që ishin në garë për Bashkinë e Tiranës, e kanë pasur shumë problem që të përballeshin me të në debat.

Ai tha se kjo gjë duhet zgjidhur me ligj dhe kandidatët duhet të përballen të paktën një herë gjatë fushatës me kundërshtarin në debat publik.

“Një nga problemet kryesore tonat ka qenë se shumë qytetarë nuk na kanë njohur, edhe për shkak të aksesit të pakët në media që kemi pasur. Unë mendoj që pjesëmarrja do të ishte shumë më e lartë nëse qytetarët e Tiranës do ta njihnin Lëvizjen Bashkë. Mendoj se ky aktivitet i yni do përçojë mesazhin që Lëvizja Bashkë është alternative e vetme kundër këtij pushteti të korruptuar. Unë kam parë me keqardhje që shumica e kandidatëve në Tiranë nuk kanë pasur program.

Veliaj nuk kishte fare program, ndërsa Këlliçi e botoi më pas programin dhe disa pika të programit i kishin marrë nga ne. Problemi im me kundërshtarët është se nuk janë serioz mjaftueshëm. Thjesht kapin ide në ajër dhe i hedhin. Veliaj premtonte të njëjtat gjëra si para 8 vitesh. Unë do të doja shumë që të kishte një debat mes kandidatëve përpara zgjedhjeve. Kap përshtypjen që kjo duhet zgjidhur me ligj. Kandidati duhet të jetë i detyruar që të përballet me rivalët, të ulen të paktën 1 herë në një tavolinë. Përndryshe fushata bëhet një fabrikim imazhi.

Mendoj që të gjithë rivalët që unë kam pasur, kanë pasur problem që të përballeshin me mua në debat. Sepse diferenca morale është e madhe. Kanë pasur frikë edhe për defiçitin intelektual. Janë ambalazhime të marketingut të partive të tyre. Të rinjtë kanë qenë aktivistë. Të rinjtë kanë ecur për orë të tëra në këmbë. Mbështetjen e kemi marrë ngado. Votat tona kanë qenë të shpërndara në mënyrë uniforme”, u shpreh Qori.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re