Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka bërë bilancin për vitin 2023. Në fjalën e tij ai e ka vënë theksin te dosjet e pa shqyrtuara të cilat kanë mbetur stok prej vitesh.

Ai premtoi se shumë shpejt do të përfundojë shqyrtimi i çështjeve që i përkasin viteve 2017-2018.

Sipas kreut të Gjykatës së Lartë ‘për vitin 2023 janë dhënë 7.848 vendime gjyqësore, nga të cilët 2.931 i përkasin Kolegjit Administrativ, 2.689 vendime të Kolegjit Civil dhe 2.228 vendime të Kolegjit Penal.’.

“Shumë shpejt do të konstatoni se pasi të kemi përfunduar shqyrtimin e çështjeve që i përkasin viteve 2017-2018, si vitet me numrin më të lartë të çështjeve të regjistruara, nuk do të ketë çështje që tejkalojnë afatet e arsyeshme të gjykimit”, tha Sadushi.

Sadushi u shpreh se mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit.

“Përherë e kam evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. E ndarë sipas fushave, për vitin 2023 nuk e kalojnë këtë test 36% e rekurseve në Kolegjin Civil, 70% në Kolegjin Administrativ dhe 70% në Kolegjin Penal. Por nëse do shohim raportin ndërmjet individëve/personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, rekurset e papranueshme në fushën administrative dhe civile i përkasin më tepër organeve publike.

Për këtë vit, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 70% të çështjeve administrative (1.441 çështje) dhe 73% të çështjeve civile (701 çështje). Individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 30% të çështjeve administrative (629 çështje) dhe 27% të çështjeve civile (263 çështje). Ky raport është i ndryshëm në fushën penale, ku prokuroria rezulton gjyqhumbëse në 33% të çështjeve (521 çështje), ndërsa individët rezultojnë gjyqhumbës në 67% të tyre (1039 çështje). Mënyra se si paraqiten rekurset përbën një problem tepër serioz që dëshmon për nivelin e ulët profesional të përfaqësimit”, tha me tej Sadushi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re