Katër të burgosur politikë të diktaturës komunite u pushkatuan dhe shumë të tjerë u ridënuan rëndë, sepse vizatuan dhe ngritën mbi tarracën e burgut flamurin kombëtar pa yllin komunist mbi shqiponjë.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit ekspozoi një seri dosjesh arkivale, ndërsa ish të dënuar sollën kujtimet e tyre nga revolta e 50 viteve më parë, bashkë me thirrjet që mesazhet e saj të mos harrohen.

Në Shqipëri Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, organizoi sot në Ditën e Drejtësisë një tubim për 50 vjetorin e Revoltës së të burgosurve politikë të Spaçit.

Për herë të parë pas afro 3 dekada diktaturë komuniste, në maj të 1973 të burgosurit politikë të Spaçit guxuan të vizatonin dhe të valvitnin mbi tarracën e burgut flamurin kombëtar pa yllin komunist mbi shqiponja.

Ata ishin të vetëdijshëm që revolta e tyre do të përfundonte me sakrifikim të plotë, megjithatë e vazhduan për 3 ditë atë qëndresë, e cila u mbyll me 4 pushkatimet e protagonistëve, Pal Zefi, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Hajri Pashaj, si dhe me ridënimin e rëndë të mbi 70 të burgosurve të tjerë politikë.

Mes tyre ishte edhe i mbijetuari i revoltës së Spaçit, Nuri Stepa. Nuriu tha se Pal Zefi ishte nismëtari i revoltës, dhe shkëndija e parë erdhi nga biruca ku ishte mbyllur ai.

“U ngrit edhe një flamur pa yllin komunist, i cili qëndroi tre ditë në majën e pallatit të burgut. Ai flamur pa yll i tërboi edhe më tepër se sa vet revolta. Burgu u rrethua nga ushtarë të shumtë, që erdhën nga Korpusi i Burrelit dhe Korpusi i Shkodrës. Erdhën aty tanke, helikopterë, reparti i kimisë. Për tre ditë dhe tre netë ai kamp bëri atë, që ndoshta nuk mund ta bënte i gjithë populli shqiptar”, thotë zoti Stepa.

Një tjetër i dënuar politik i njohur i diktaturës komuniste, Simon Miraka, thotë se përvjetorë të tillë revoltash antikomuniste janë të rëndësishëm dhe nuk duhen harruar kurrë, sepse rrënjët e lirisë së shqiptarëve gjenden tek kryengritjet e antikomunistëve në krahina dhe në burgje, si Spaçi, Qafë Bari, Postriba, Malësia e Madhe.

Revolta e Spaçit, thotë ai, është një ngjarje krenarie e vetësakrifikimit të shqiptarëve për liri, sepse në kulmin e ashpërsisë së diktaturës, aty u thirr nga të rinjtë për herë të parë “Poshtë Komunizmi”, sepse aty u vranë nga regjimi komunist për flamurin kombëtar pa yllin komunist katër djem 22 dhe 27 vjeçarë.

“Për herë të parë atje u thirr “Poshtë Komunizmi!”, “E duam Shqipninë si gjithë Europa!”. Ngjarja ka vlerë të madhe, por elementi më i veçantë në të ishte ngritja e flamurit pa yllin komunist në tarracë. Flamuri i krijua me një copë beze të kuqe nga të burgosurit. Aty ishte një djalë që dinte të pikturonte dhe ai e pikturoi shqiponjën. Ata e ngritën flamurin mbi tarracën e burgut, edhe ajo krahinë e famshme e Mirditës e përjetoi për tre ditë emocionet e lirisë”, thotë zoti Miraka.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit organizoi sot tubimin “Spaçi në arkiva, 50 vjet nga Revolta”, ku u ekspozuan një mori dosjesh arkivore me mijëra faqe mbi Reparti famëkeq 303 Spaç.

Ai ishte njëkohësisht burg, minierë dhe kamp pune, ku torturoheshin në punë të detyruar nëpër galeri të rrezikshme nëntokësore rinia antikomuniste e Shqipërisë.

Drejtuesja e Autoritetit, Genta Mara Sula, thotë se protagonistët dhe viktimat e asaj ngjarjeje historike ende kërkojnë të trajtohen me drejtësi, nderim dhe dinjitet, madje janë mbi 40 persona, që ende nuk u janë gjetur eshtrat.

“Krahas Revoltës së Spaçit, është edhe një faqe tjetër e historisë së këtij burgu. Kemi përgatitur një listë me 48 persona, të cilët nga kushtet çnjerëzore, nga torturat, nga vetëvrasjet prej dëshpërimit, vdekjet nga shembjet e galerive, si dhe dënimet kapitale brenda në burg, mbetën aty edhe ende sot nuk u dihen eshtrat se ku janë”, thotë zonja Sula, para se të nderonte me një munitë heshtje kujtimin e tyre së bashku me pjesëmarrësit e tjerë.

Nëndrejtori i përgjithshëm i burgjeve, Femi Sufaj, ka bërë shumë kërkime shkencore në arkiva, mbi 4 kampet gjigande të punës të ngritura nga dikatura komuniste për të shfrytëzuar punën e papaguar më detyrim të të burgosurve politikë në miniera, bujqësi, shtrim rrugësh, aeroportesh, ndërtim pallatesh dhe fabrikash e uzinash.

Ai thotë se në Spaç ishin dy kampe 303 dhe 303/1, të cilat së bashku shfrytëzonin egërsisht në punë mbi 1200 të burgosur politikë, të cilat vazhduan deri në vitin 1991, kur u bë një amnisti e përgjithshme. Zoti Sufaj thotë se dokumentat mbi revoltën e Spaçit dëshmojnë për një tronditje të madhe të sistemit komunist.

“Ngjarja tronditi sistemin nga themelet. Byroja politike dhe udhëheqësi i regjimit të kohës ka ngritur ekipe për të vlerësuar situatën. Ata bënë disa retushime të sistemit të burgjeve dhe kushtet e trajtimit, jo ndonjë gjë të madhe themelore, por tronditja u ndje deri në majë të sistemit”, thotë zoti Sufaj.

Revolta e Spaçit është një nga ngjarjet më domethënëse, pohojnë studiuesit, ku protagonistët e paarmatosur dhe fare të pambrojtur hodhën parrulla të qarta antikomuniste kundër regjimit, të vetëdijshëm se do të vriteshin nga Sigurimi dhe ushtria.

Një muze pritet të ngrihet për nderim të tyre në rrënojat e burgut të Spaçit, ndërsa nga 20 maji një orë mësimore do t’u kushtohet atyre në gjithë sistemin arsimor të Shqipërisë./VOA

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re