Rritja e çmimeve të shportës, por edhe të artikujve të tjerë, po e bëjnë të pa mundur jetesën për shumë konsumator kuksian. Blerësit e tregut të fruta-perimeve në këtë qytet ankohen për çmime të larta dhe mungesë të punësimit e varfërisë.

Ata para mikrofonit të Fax News pohojnë se janë të detyruar të blejnë artikujt më të domosdoshëm, por ka raste edhe nuk blejnë fare, për shkak të varfërisë.

Ndërkohë këtë vit edhe tregtarët ankohen për shkak të rënies së fuqisë blerëse e për pasojë fitimet e tyre kanë rënë.

“Çmimet janë rritur shumë, ça me ble sta merr mendja fare, ka shkuar 1200 lekë domatja për turshi, 1 500 lekë ka shkuar çaji, gjithë sendet kanë shkuar. Shumëzoje me zero Kukësin”.

“Çmimet ë? Nëna del njëherë në 5 muaj”.

“Çmimet janë rritur shumë, populli vetëm i sheh dhe vazhdon rrugën. Unë shes do gjëra të përdorme, populli vjen me xhepa në dorë, dhe me xhepa në dorë ikën. Edhe drutë kanë shkuar shtrenjtë, blerje ska shitje nuk ka. Kukësi ka ngelur si Fushë Arrëzi. S’ka, kjo është…”.

Tregtarët pretendojnë se çmimet nuk janë rritur krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por varfëria dhe mungesa e të ardhurave tek familjet kuksiane, po sjellin humbje edhe tek shitësit e tregut të fruta-perimeve.

”Çmimet janë më lirë se në verë, ka rënë fuqia blerëse se nuk kanë. Frutat perimer janë shumë lirë. Kanë ikur të gjithë jashtë, të ardhurat i kemi më të dobëta, na kanë ngarkuar shumë dhe çmimet e karburantit”, shprehet një prej tregtarëve.

Kukësi radhitet në qarqet me të ardhura shumë të ulta për banorë. Pjesa më e madhe e krahut të punës vijon të vuaj papunësinë, një pjesë e tyre emigrojnë në Kosovë, Maqedoni e Kroaci për punë sezonale në sigurimin e të ardhurave minimale për familjet e tyre.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re