Sekretari i Përgjithshëm  në Partinë Demokratike Gazment Bardhi nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë, nëse Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen pas rezultatit katastrofik në zgjedhjet e 6 Marsit.

Sa i takon kërkesës së shumicëve të deputetëve, që Basha të japë dorëheqjen, Bardhi tha se ata kanë mbajtur qëndrime emocionale, pas dy ditëve të lodhshme dhe pa gjumë.

“Unë kam qenë në atë mbledhje, një pjesë e deputetëve kanë mbajtur qëndrime emocionale, një pjesë e tyre, ashtu si edhe unë kishim 48 orë pa gjumë, pasi kishim ndjekur procesin zgjedhor. Problemet nuk zgjidhen me individualizim të përgjegjësisë.

Nëse PD është sot në një moment të vështirë, përgjegjësia është e të gjithëve. Të jap dorëheqjen është gjëja më e thjeshtë për mua”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit në PD ka ardhur koha për një analizë të thellë të rezultatit dhe mbështetjes, ndërkohë që shtoi se kjo nuk mund të bëhet përmes dorëheqjes, duke thumbuar kështu dy nënkryetarët e larguar Grida Duma dhe Enkelejd Alibeaj.

“Së pari e kam thënë që ditën e parë, që nuk mund të dalësh në konkuluzione pa një rezultati reflektimi dhe analize, brenda institucioneve të PD. Si sekretar i përgjithshëm i PD, kam zgjedhur që të shprehem në institucione, këto ditë i kam shfrytëzuar për analizë, që vendimet që do të merren të jenë në interes të demokratëve.

Gjendja në të cilën ndodhen sot demokratët, duhet të pasojë me një analizë serioze, nuk është një çështje karrige, por analiza duhet të bëhet përmes institucioneve. Në çdo qëndrim timin në politikë kam pasur dy parime, koherencën, dhe vendosjen në vendin e parë të demokratëve.

Edhe njëherë unë nuk mendoj dhe nuk besoj se secili prej nesh nuk ka përgjegjësi për situatën ku ndodhet PD, por ama duke ikur, nuk iu ikën përgjegjësive, është gjëja më e thjeshtë që të ikim nga pozicionet që kemi, për ti ikur përgjegjësitë.

Demokratët kanë nevojë për përgjegjshmëri në vendimmarrje, nuk mund ta trajtosh PD me dy modele, që në ditë të mira të rrish, dhe në ditë të këqija të ikësh. Nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm, por të ikësh, nuk tregon përgjegjësi. Secili demokrat duhet të reflektojë thellë, do të duhet të gjejmë një zgjidhje në interes të demokratëve.

Po ka një problem në PD, i cili është shtuar , por as nuk ka përfunduar problemi dhe as nuk është zgjidhur. Ka nevojë për një qëndrim që i shërben vetëm demokratëve, interesi personal ka zero rëndësi, para interesit të mijëra e mijëra demokratëve.

Mos më kërkoni mua që të them se çfarë do të bëj zoti Basha, mos më kërkoni konkluzione jashtë institucioneve të partisë”, tha më tej sekretari i përgjithshëm i PD-së.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re