Nga: Sali Shasivari

Ekzaktësisht një javë pas deklaratave kontroverze dhe akuzave famëkeqe të cilat i drejtoi presidenti francez ndaj Fesë Hyjnore – Islamit (e Xhuma, 2 Tetor 2020), dhe në momentin që ai po përgatitej t’i përsëris dhe t’i rikonfirmoj akuzat e tij gjatë ceremonisë së pritjes së një zonje franceze 75 vjeçare, me emrin Sophie Petronin, e cila kishte qëndruar peng për plotë 4 vite në Mali (vend në të cilin jetonte me vite dhe udhëhiqte një organizatë që ndihmonte fëmijët), dhe e cila ishte liruar – të enjten 8 Tetor – bashkë me disa pengje tjera, në shkëmbim të 200 të burgosurve, dhe një shume prej 10 milionë dollarë…

Pikërisht në momentet e pritjes së kësaj zonje të porsaliruar (e Xhuma 9 Tetor 2020), si dhe pak çaste para se Makroni ta shfrytëzoj rastin në fjalë për të derdhur përsëri ‘helm e vrerë’ ndaj Islamit dhe muslimanëve, erdhi ‘shuplaka’ Hyjnore; me ç’rast, zonja në fjalë, me të arritur në aeroport të Parisit, ku ishin në pritje zyrtarët francez në krye me Makronin, si dhe shumë gazetarë dhe media, dhe në momentin që të gjithë iu drejtuan zonjës në fjalë me mirëseardhje, me qëllim që të pasojnë pyetjet ‘e planifikuara’…

Caktimi Hyjnor kishte përgatitur një befasi… duke prishur çdo agjendë djallëzore…

Kështu, zonja 75 vjeçare, me të arritur në vendin e saj (në një nga aeroportet e Parisit), me mbulesë në kokë, deklaroi Islamin, dhe ua preu troç të gjithëve, duke ua ‘tharë pështymën në fyt’, dhe duke prish çdo plan djallëzor, me ç’rast tha: “Ju po më thirrni Sophie…, por, para jush është Merjemi…”; duke shpalosur planet e saj të mëtejshme, dhe duke deklaruar për mediat se: “Pas Francës, do të shkoj në Zvicër, e mëpastaj do të kthehem përsëri në Mali, për të parë se çka po ndodh atje…”.

‘Çfarë coincidence dhe çfarë ironie’, do të thonin disa…!

Mirëpo, ne si besimtar themi atë që thotë Zoti i Gjithësisë:

“Ata vërtet bëjnë kurtha. Po edhe Unë përgatis dështimin e kurtheve të tyre!” (Kur’an: Sureja Et-Tariq, Ajetet 15 dhe 16)

“…Një dëshmitar nga familja e saj gjykoi…” (Kur’an: Sureja Jusuf, Ajeti 26)

“Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e All-llahut, e All-llahu nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë” (Kur’an: Sureja Et-Teube, Ajeti 32).

A thua vallë, kush – përpos Sunduesit të Gjithësisë – do të mundte të bëj plane të këtilla kaq precize, me gjitha këto simbolika, në mesin e cilave theksojmë:

– Deklarata famëkeqe ndodhi ditën e Xhuma, 2 Tetor; ‘shuplaka’ Hyjnore erdhi ditën e Xhuma, 9 Tetor…!

– Plaka franceze, e cila kishte qenë peng në një vend i cili është zhvatur – dhe vazhdon të zhvatet – në mënyrën më të keqe të mundshme nga (neo) kolonizatorët francez, bëhet dëshmi e gjallë mbi atë se kush është në krizë të vërtetë; Islami dhe muslimanët (sipas deklaratës së Makronit), apose, vet shteti francez dhe standardet e tij…?!

– Plaka franceze deklaron Islamin pikërisht në momentet kur i kthehet lirisë…, e jo gjersa ishte peng…

Me të vërtetë, Islami është Fe Hyjnore, e cila ka ardhur për të çliruar mendjet dhe zemrat e njerëzve… dhe për të shpëtuar njerëzimin në këtë botë dhe në Botën Tjetër…

Ai (Islami) është fe e arsyes, natyrës së pastër njerëzore, udhëzimit, ekuilibrit, drejtësisë, barazisë, dashurisë, rehatisë, paqes, mirëqenies, solidaritetit, progresit, etj.

Ata të cilët e akuzojnë Islamin, në realitet, projektojnë krizat dhe djallëzitë e veta, të cilat i kanë të ngulitura në brendësitë e tyre…!

Së këndejmi, të njejtëve ju themi atë që thotë Zoti i Madhnueshëm:

“Ja, ju (muslimanë) jeni që i doni ata, e ata nuk u duan juve. Madje ju i besoni librat në tërësi (të gjitha shpalljet), e kur ju takojnë thonë: “Ne kemi besuar”! E kur veçohen, ata nga mllefi kundër jush grisin majet e gishtërinjve. Thuaju: “Vdisni me atë mllef tuajin”! All-llahu e di shumë mirë se çka mbajnë (të fshehtat) zemrat e tyre”. (Kur’an: Sureja Ali Imran, Ajeti 119).

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re