Paralajmërimi i Gazment Bardhit në emër të deputetëve të Partisë Demokratike për ndërmarrjen e vendimeve ekstreme, në rast se mazhoranca nuk u jep atyre të drejtat që u takojnë në Kuvend, ka hapur përsëri një debat të vjetër, atë se si duhet të sillet opozita kundrejt një regjimi që e ka shndërruar atë në fasadë.

Gjatë takimit me dyer të mbyllura, mësohet se Gazment Bardhi ka kërkuar nga kolegët që të bëjnë propozime për një aksion opozitar në Kuvend. “News24” ka zbardhur debatin me dyer të mbyllura në grupin e deputetëve demokratë, e thirrur nga Gazment Bardhi dhe Sali Berisha në Kryesinë e Kuvendit.

Gjatë takimit pa media, mësohet se Gazment Bardhi ka propozuar nga deputetët që të propozojnë aksione të forta dhe qëndrime të prera opozitare në Kuvend. Ndërkohë që Sali Berisha ka dalë kundër idesë për të bojkotuar institucionin e Parlamentit, duke theksuar që s’duhen bërë gabimet e dikurshme të PDsë, kur kishte Lulzim Bashën. Një propozim i fortë ka qenë ai i deputetit Bujar Leskaj, i cili ka kërkuar që demokratët të shkojnë në ekstrem, madje propozoi idenë e grevës së urisë, si Pjetër Arbnori.

“Duhet të thellojmë aksionin opozitar. Situata jonë është e vështirë. Kjo do të thotë se duhet të reagojmë saç duhet. Duhet të marrim hap pas hapi të gjitha mundësitë e reagimit, duke shkuar edhe deri në ekstrem, në greve urie, siç ka bërë Pjetër Arbnori në vitin 1997”, – mësohet të jetë shprehur Leskaj.

Më tej, Helidon Bushati ka deklaruar se deputetët nuk duhet të kenë komplekse për bojkotin.

“Unë besoj doktor se ne nuk duhet ta përjashtojmë edhe bojkotin, jo një bojkot pafund, po një bojkot me një kohë të caktuar dhe që ka qëllime të qarta politike. Nuk duhet të kemi kompleks bojkotin”, – është shprehur Helidon Bushati.

Berisha ka kundërshtuar sërish bojkotin, duke insistuar tek aksioni për t’u dërguar letra kancelarive të huaja, por Bushati ashtu si Leskaj është treguar më i prerë: “Nëse ata nuk reflektojnë, jam patjetër, sikundër tha Leskaj, se më nxiti, jo më inspirojë, thjesht nxitje, mund të shkojmë edhe tek greva e urisë”.

Gazment Bardhi: Do të duhet të kemi një qëndrim. Mazhoranca po na bllokon çdo hapësirë institucionale. Kanë asgjësuar parlamentarizmin. Opozita nuk duhet të lejojë që të zhvillohet aktivitet normal parlamentar, përderisa mazhoranca do të vazhdojë të rrezojë kërkesat e opozitës për komisionet hetimore parlamentare, apo mospranimin e ndryshimit të anëtareve të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Kjo që po ndodh aktualisht s’ka ndodh kurrë me opozitën. Është asgjësuar çdo hapësirë. Praktikisht na kanë venë në kushtet kur ata vendosin gjithçka për ne. Do të duhet të kemi një qëndrim të prerë. Unë pres nga ju propozime dhe duhet të dalim me një vendim se çfarë duhet të bëjmë.

Sali Berisha: Mendoj se ne duhet të bëjmë një letër, edhe publike dhe t’ua shpërndajmë kancelarive ndërkombëtare dhe t’i vëmë në dijeni se çfarë po ndodh në parlamentin shqiptar, së çfarë po ndodh me opozitën. Më pas duhet të mbledhim partitë aleate, ku mund të diskutojmë për situatën në fjalë dhe hapi i fundit është përplasja, në mënyrë që të mos lejojmë zhvillimin normal të seancave parlamentare, por t’i bllokojmë ato.

Bujar Leskaj: Duhet të thellojmë aksionin opozitar. Situata jonë është e vështirë. Kjo do të thotë se duhet të reagojmë saç duhet. Duhet të marrim hap pas hapi të gjitha mundësitë e reagimit, duke shkuar edhe deri në ekstrem, në greve urie, siç ka bërë Pjeter Arbnori në vitin 1997.

Sali Berisha: Mendoj që bojkoti nuk është opsion si mekanizëm për t’u përdorur nga ana jonë, pra bojkoti i parlamentit. Nuk do të përdorim ato praktika që janë përdorur më parë, (i referohet djegies së mandateve, braktisja e zgjedhjeve) por do të përdorim çdo mjet demokratik që askush të mos marrë neper këmbë opozitën, siç ndodhi në seancën e fundit parlamentare.

Helidon Bushati: Mendoj se duhet të bëhemi interesantë politikisht, se ka humbur interesin i medias dhe publikut, ka humbur pak interesi tek aksionet tona politike. Unë besoj Doktor se ne nuk duhet ta përjashtojmë edhe bojkotin, jo një bojkot pafund, po një bojkot me një kohë të caktuar dhe që ka qëllime të qarta politike. Nuk duhet të kemi kompleks bojkotin. Nuk duhet të jetë instrumenti i parë, por pasi të ezaurojmë instrumentet e tjera, pse jo edhe bojkot. Mund të jetë 1 javë, 2 javë, e përcaktojmë, por do të jetë bojkot që qytetarët shqiptarë ta kuptojnë cila është opozita e vërtetë. Dhe po dolëm ne nga parlamenti, aty do të mbesin disa deputetë…

Sali Berisha: Jam duke të ndjekur me vëmendje Bushat.

Helidon Bushati: Duhet ta nisim me shkallë aksionin tonë. Nuk duhet të shkojmë direkt në veprime ekstreme. Duhet ta nisim me këtë që kemi nisur nëpër komisione, të kundërshtojmë dhe reagojmë. Pra, duhet të shkojmë në ngritje. Nëse ata nuk reflektojnë, jam patjetër, sikundër tha Leskaj, se më nxiti, jo më inspiroi, thjesht nxitje, mund të shkojmë edhe te greva e urisë. Pra nuk bie dakord me Doktorin që thotë që jam absolutisht kundër bojkotit. Pra, ne të mos e kemi qellim në vetvete bojkotin, të mos e kemi të gjatë, por si akt mund ta bëjmë. Pra, ky akt tregon se cila është edhe opozita e vërtetë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re